“Drejtësi për Denisin”/ Babai shqiptar hyn në grevë urie në Athinë

Prej disa ditësh, sheshi “Syntagma” në Athinë është kthyer në simbol dhimbjeje dhe proteste. Pano Ruçi, babai i 22-vjeçarit Denis Ruçi, një prej viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Tempi më 28 shkurt 2023, ka nisur një grevë urie dhe etjeje përballë Parlamentit grek.

I pikëlluar nga humbja e të birit, por edhe i zemëruar nga mungesa e përgjigjeve dhe refuzimi i kërkesave të tij, Ruçi kërkon vetëm një gjë: drejtësi dhe të vërtetën për atë që ndodhi atë natë të kobshme. Një nga kërkesat e tij kryesore është edhe lejimi i zhvarrosjes së trupit të Denis Ruçit, gjë që deri tani është refuzuar nga Gjykata e Larisës.

“Unë nuk dua asgjë tjetër, veç të vërtetës për djalin tim. Nuk do të largohem derisa të më dëgjojnë”, – është shprehur ai.

“Grevë urie dhe etjeje për Denisin, për të gjithë fëmijët, për drejtësinë dhe të vërtetën, që të mos humbasë më asnjë jetë për fitimet e tyre. Nuk kam mundur të fle për dy vjet e gjysmë. I kam dhënë një premtim djalit tim: nuk do t’i fal ata që shkaktuan këtë tragjedi. Për shkak të tyre, të gjithë këta fëmijë u larguan nga jeta në mënyrë kaq të padrejtë.”

Tragjedia hekurudhore në Tempi, ku humbën jetën 57 persona – shumica të rinj – është cilësuar si një nga ngjarjet më të rënda në historinë e transportit grek. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vite e gjysmë nga aksidenti, shumë familje ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare dhe transparente mbi shkaqet reale të katastrofës.


Shtuar 18.09.2025 12:37