DOSJA/ “Gjujtsat” gati me mitralozë, policia përgjoi telefonin e Ibrahim Licit, kush spiunoi dhe si dështoi atentati në Fushë Krujë

Nga dosja hetimore e SPAK duket qartë se Policia e Shkodrës si edhe prokurorë dhe gjyqtarë të caktuar ishin vënë në shërbim të bandave duke shërbyer si informatorë për lëvizjen e kundërshtarëve të tyre dhe në rast të arrestoheshin apo kapeshin nga kamerat në atentate, si persona që i lehtësonin përballë ligjit.

SPAK ka vërtetuar se prokurori Xhevahir Lita është shërbëtor i bajrajve, po ashtu si edhe shefi i Kundër Krimit të Organizuar, Ardrit Hasanbegaj, i cili merr përsipër të përgjojë numrin e telefonit të Ibrahim Licit për të gjetur se ku është ai. Po ashtu, nga dosja rezulton se Hasanbegaj jep informacione për lëvizjet e bashkëshortes shtatëzënë të Dorian Dulit, ndërkohë që Behar Bajri bëhet gati që ta vrasë Dulin.

Nga dosja mësohet gjithashtu se spiunimi kundrejt parave është një fenomen i përhapur në rrethet kriminale, ku një person që duket të kete kontrakte me Ibrahim Licin dhe Dorian Dulin i jep informacione Bajrajve se Lici do të shkonte në një varrim në Fushë Krujë, por që më pas ai i shpëton atentatit pasi “gjujtsit” nuk e dinin se me cilën makinë ishte dhe se “nuk donin të vrisnin njerëz kot”.

PJESË NGA DOSJA

Konstatohet se shtetasi Behar Brajoviq menjëherë pasi ka dalë nga burgu është angazhuar me qëllim vrasjen e shtetasve Dorian Duli dhe Ibrahim Lici, për shkak të interesave të tij personale dhe të interesave të fisit (sic shprehet ai). Me qëllim realizimin e vrasjes, shtetasi Behar Brajoviq bashkëpunon me shtetasit Astmer Bilali, Denis Brajoviq, Bardhyl Mavraj dhe persona të tjerë ende pa identifikuar.

Behar Brajoviq ka bashkëpunuar me shtetasin Pellumb Gjoka për grumbullimin e informacioneve në lidhje me vendndodhjen e shtetasve Dorian Duli dhe Ibrahim Lici. Pellumb Gjoka, duke pasur dijeni të plotë për qëllimet që shtetasi Behar Brajoviq ka bashkëpunuar, ka siguruar informacione lidhur me vendndodhjen e Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit, duke kërkuar informacion nga shtetasi Ardrit Hasanbegaj, i cili në atë periudhë mbante pozicionin e shefit të krimit të organizuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.

Ardrit Hasanbegaj, duke pasur dijeni për qëllimet e Pellumb Gjokës dhe Behar Brajoviq, duke pasur akses për shkak të detyrës dhe kontakteve të tij në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, jep informacione të përftuara nga hetimet që zhvillohen nga policia dhe nga përgjimet telefonike.

Një herë shtetasi Astmer Bilali ka arritur të sigurojë një numër telefonik, i cili dyshohet që përdorej nga shtetasi Ibrahim Lici, dhe ia ka dhënë shtetasit Behar Brajoviq. Ky i fundit këtë numer telefonik ia ka dhënë shtetasit Pellumb Gjoka me qëllim që ta japë shtetasit Ardrit Hasanbegaj.

Shtetasi Ardrit Hasanbegaj, në periudhën kur ka marrë numrin telefonik nga Pellumb Gjoka, ka qenë me leje, konkretisht në plazh, dhe i ka shprehur Pellumbit që sapo të kthehet nga leja do të ecë për ta vendosur në përgjim dhe do të jetë ai pikë kontakti me zyrën e përgjimit për sigurimin e të dhënave në lidhje me vendndodhjet e shtetasit Ibrahim Lici.

Shtetasi Behar Brajoviq, me qëllim realizimin e vrasjes së shtetasit Dorian Duli, dyshohet se ka bashkëpunuar edhe me shtetasin Preke Kodra. Ky i fundit dyshohet se ka kontraktuar disa persona ende të paidentifikuar me qëllim vrasjen e shtetasit Dorian Duli vetëm në territorin e Shkodrës ose të Lezhës, por jo jashtë këtij territori pasi nuk operon dot jashtë kësaj zone. Njëkohësisht, shtetasi Preke Kodra shprehet që nëse nuk do të funksionojë kjo mënyrë, ka në dorë një mënyrë tjetër e cila është e sigurt që do të funksionojë.

Shtetasi Behar Brajoviq i ka premtuar shtetasit Preke Kodra shuma parash të konsiderueshme me qëllim sigurimin e informacioneve në lidhje me vendndodhjen e shtetasit Dorian Duli. Për këtë arsye, shtetasi Preke Kodra ka bashkëpunuar me shtetasin A.N, lidhje e tij e ngushtë me qëllim sigurimin e informacioneve në lidhje me vendndodhjen e shtetasit Dorian Duli.

Shtetasi A.N, duke pasur njohje personale me shtetasin Dorian Duli, është angazhuar duke njoftuar shtetasin Preke Kodra për vendet ku shtetasi Dorian Duli frekuenton dhe momentet kur ai shkon dhe takohet me shtetasin A.K.

Me datë 21.08.2020, shtetasi A.N informon shtetasin Preke Kodra që Dorian Duli do të jetë në varrimin e shtetasit Indrit Rraja. Menjëherë pas kësaj, Preka informon shtetasin Behar Brajoviq dhe i thotë që të bëhet gati, pasi Dorian Duli do të jetë nesër në varrimin e shtetasit Indrit Rraja. Behar Brajoviq kontakton me shtetasin Astmer Bilali dhe i kërkon që të bëhet gati për realizimin e vrasjes, pasi nesër në varrimin e Indrit Rraja do të jenë Dorian Duli dhe Ibrahim Lici.

Behari i tregon se kam dy automjete gati, dy mitraloz të lehta dhe dy kallashnikovë dhe Astmeri i shprehet i gatshëm për të marrë pjesë në këtë organizim. Shtetasi Behar Brajoviq njofton edhe shtetasin Pellumb Gjoka në lidhje me planin që po bën për vrasjen e Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit në ceremoninë e varrimit të shtetasit Indrit Raja.

Me datë 22.08.2020, shtetasi A.N merr pjesë në varrim dhe i dërgon informacion shtetasit Preke Kodra në lidhje me faktin që Dorian Duli ndodhet në ceremoninë e varrimit bashkë me shtetasit Ibrahim Lici dhe Genc Tafili.

A.N gjithashtu jep informacion për veshjet që ka Dorian Duli, por nuk ka arritur të fiksojë automjetin që ai ka në përdorim. Shtetasi Behar Brajoviq përgatitet me qëllim realizimin e vrasjes kur shtetasit Dorian Duli dhe Ibrahim Lici të jenë duke u larguar nga ceremonia e varrimit, por për shkak se nuk është i sigurt për automjetin me të cilin po udhëtojnë, nuk e realizon vrasjen. Ai shprehet që ishin të gatshëm për të realizuar vrasjen, por nuk ishte i sigurt për automjetin dhe për këtë arsye e ka anuluar me qëllim që të mos vrasin njerëz të tjerë.

Në vazhdimësi, shtetasi A.N dhe Preke Kodra shprehen që ata do të marrin pjesë edhe në të 7-tat e ceremonisë së varrimit dhe aty mund të jetë një tjetër rast i mirë për realizimin e vrasjes.

Shtetasi A.N i tregon shtetasit Preke Kodra se shtetasi Dorian Duli i ka kërkuar që të gjejë një motor për një skaf dhe Aleks do t’ia sigurojë dhe do t’ia montojë.

Preke Kodra i sugjeron që t’i vendosin një GPS tek motori, por A.N i shprehet që është më e thjeshtë që të afrohen kur të jetë në veshur me roba policia kufitare dhe të realizojnë vrasjen. /Albeu.com

 

 


Shtuar 5.08.2023 14:29