Dosja e famshme “339”, SPAK kërkon 55 vjet burg për grupin e Avdylajve të Shijakut

SPAK kërkon dënimin me 10 vite burgim për Astrit Avdylajn, i konsideruar si kreu i grupit “Avdylaj” në Shijak, transmeton Gazeta Panorama.

Njeriu që mban edhe dy mbiemra të tjerë, Balliu dhe Sulejmani, akuzohet për trafik narkotikësh, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, i cili trafikoi një sasi të madhe heroinë, që u sekuestrua në një laborator në fshatin Brenogë të Hasit.

Jasin Kala alias Avdyli rrezikon dënimin me 9 vite burgim për pjesëmarrje në grup kriminal, drogë dhe pastrim parash.

Për Denis Llaftiun, u kërkua dënimi me 9 vite burgim, ndërsa për Fatos Llaftiun, 3 vite për akuzën e moskallëzimit të krimit. Iskënder Sale alias Mehmet Gjini dhe Xhemal Shala rrezikojnë nga 12 vite burgim secili.

Grupi kriminal Avdylaj u godit 3 vite më parë në kuadër të operacionit “Volvo 4”, për të ashtuquajturën dosja “339”.

Pjesëtarët e këtij grupi u kapën në përgjime me ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, duke biseduar për shitblerje të votës. Aktualisht pjesa më e madhe e anëtarëve të grupit janë të lirë, pasi u skaduan afatet e paraburgimit, për shkak të zvarritjes së procesit gjyqësor.

LIRIMI

Në muajin korrik, rreth dy vjet pas arrestimit, i konsideruari si “koka” e grupit kriminal të trafikut të heroinës, Astrit Avdylaj, është liruar nga qelitë bashkë me tre anëtarë të tjerë të grupit.

Lirimi i të arrestuarve në kuadër të dosjes së bujshme “339”, ka ardhur për shkak të kapërcimit të afateve ligjore të paraburgimit. Ata ishin arrestuar më 21 tetor të vitit 2018 si pjesë e grupit “Volvo 4” dhe sipas ligjit, afati i paraburgimit është 14 muaj, ndërsa ende nuk është dhënë një vendim për ta nga organet e drejtësisë.

Ndaj Astrit Avdylajt, Jasin Kalës dhe Fatos Llaftiut, është vendosur masa e sigurisë “Arrest shtëpie” me mbikëqyrje policore përgjatë 24 orëve.

ARRESTIMET

Në janar të vitit 2020, Prokuroria Speciale kundër Krimit të Organizuar dërgoi për gjykim dosjen në ngarkim të grupit kriminal. Të dyshuarit që përfshijnë të pandehurit: Astrit Balliu (alis Avdyli, Sulejmani), Altin Avdyli, Jasin Kala (alias Avdyli), Gjevi (alias Xhevahir) Ndoka (vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka) etj. Ata akuzohen mes të tjerash për trafik droge, organizatë e strukturuar kriminale, pastrim parash etj.

“Deri tani, në kuadër të këtij procedimi penal janë dërguar për gjykim gjithsej 63 të pandehur”, bëri të ditur SPAK-u.

Një nga të dyshuarit e çështjes, turku Nejdet Cesuroglu, u gjet i vdekur në Prishtinë në janar 2019 pranë 113.5 kilogramëve heroinë. Sipas Prokurorisë, grupit të dyshuar kriminal i janë sekuestruar deri tani 300 mijë metër katrorë truall në bregdet, të cilat dyshohet se janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme pasi janë pronë publike, si dhe janë bllokuar hotele, apartamente e automjete me një vlerë prej rreth 5 milionë euro.

Hetimet për këtë grup nisën në vitin 2016 për dyshimet për trafik droge, por përgjimet e grupit kriminal dhe bashkëpunëtorëve të tyre në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër, zbuluan mes të tjerash një angazhim të të dyshuarve jo vetëm në trafikun e drogës, por edhe në mbështetjen e zyrtarëve të ndryshëm socialistë në fushatat e tyre zgjedhore në zgjedhjet e parakohshme në Dibër në 11 shtator 2016 si dhe më pas, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2017, në të cilat Partia Socialiste regjistroi fitoren më të thellë në 15 vite.

PRETENCA

Astrit Avdylaj, 10 vite burgim

Jasin Kala alias Avdyli, 9 vite burgim

Denis Llaftiun, 9 vite burgim

Fatos Llaftiun, 3 vite burgim

Iskënder Sale alias Mehmet Gjini, 12 vite burgim

Xhemal Shala, 12 vite burgim secili.


Shtuar 4.12.2021 10:43