Italia i ka kërkuar Rusisë që të reagojë lidhur me bllokimin e grurit në portet e Ukrainës.
Lëvizja erdhi teksa më herët ishte presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, e cila ishte shprehur se kriza ushqimore globale është pjesë e arsenalit të terrorit të Vladimir Putin.
Akuza vjen nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen. Duke folur në Parlamentin Europian, zyrtarja konfirmoi se sanksionet e perëndimit nuk do të prekin produktet ushqimore të bllokuara në Ukrainë dhe as ato që mund të eksportojë Moska.
“Ky është një rrethim i ftohtë, i pashpirt dhe i llogaritur mirë nga Putini ndaj disa prej vendeve dhe njerëzve më të cenueshëm në botë. Dhe prandaj tani, të nderuar deputetë, ushqimi është bërë pjesë e arsenalit të terrorit të Kremlinit dhe ne nuk mund ta tolerojmë atë”, tha Ursula von der Leyen, presidente e komisionit Europian.
Ndërkohë, Italia paralajmëroi se miliona persona mund të vdesin nga uria në rast se Rusia nuk liron portet e Ukrainës në Detin e Zi.
“Dua ta them qartë se nga Rusia presim sinjale të qarta dhe konkrete, pasi të bllokosh eksportimin e grurit do të thotë të mbash peng dhe të dënosh me vdekje miliona fëmijë, gra dhe burra. Italia do të vazhdojë të angazhohet në linjën e parë të gjetur zgjidhje bashkë me OKB për të shmangur një katastrofë ushqimore globale”, tha Luigi di Maio, ministër i Jashtëm i Italisë.
Di Maio, deklaratat e të cilit erdhën gjatë një takimi mes disa vendeve të Mesdheut dhe Organizatës për Ushqimin dhe Bujqësinë të Kombeve të Bashkuara, shtoi se javë te ardhshme do të jenë thelbësore për zgjidhjen e krizës. Kjo temë u cek dhe nga Gjermania.
Ministrja e tregtisë, Svelja Schulze, tha se lufta e pajustifikuar dhe e paligjshme e Rusisë kundër Ukrainës po ndërpret prodhimet bujqësore, zinxhirët e furnizimeve dhe tregtinë, duke bërë që çmimet të rriten në nivele të paprecedenta.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë akuzoi ushtarët ukrainas se kanë djegur qëllimisht mbi 50 mijë tonelata gruri në portin e Mariupolit. Ndërsa mediat e Moskës raportojnë se brenda kësaj jave do të nisë eksportimi i drithërave në port ukrainas të Bërdjansk në Detin e Zi.