Kreu i ARRSH Ami Kozeli, nga konferenca për mediat, ka folur në lidhje me dëmtimin dhe bllokimin e aksit Librazhd-Pogradec dhe bypassit të ri.
Kozeli tha se gjatë mbledhjes së sotme, janë marrë disa vendime të rëndësishme, që përfshijnë ndërtimin e një rruge të re alternative përbri lumit Shkumbin.
Po ashtu drejtori i ARRSH-së tha se do të prishet rruga e dëmtuar dhe do të lehtësohet ngarkesa në rrugën e rrëshqitur.
“Mbetet ndikimi i reshjeve intensive, erozioni lumor që ka çuar në një rrëshqitje masive aktive. Në mbledhjen e djeshme, datë 24 shkurt, u morën këto vendime: Ndërtimi i një rruge të re alternative përgjatë hekurudhës përbri shtratit të lumit Shkumbin. Prishja e rrugës ekzistuese dhe lehtësimi i ngarkesës në rrugën e rrëshqitur.”, tha ai.
Në fund, ai deklaroi se Aksi Librazhd–Përrenjas është me rëndësi strategjike dhe do të rikthehet në funksion të plotë
“Sistemi dhe disiplinimi i rrjedhave sipërfaqësore në të gjithë planin e rrëshqitjes. Aksi Librazhd–Përrenjas është me rëndësi strategjike dhe do të rikthehet në funksion të plotë pas sigurimit të situatës”, nënvizoi Kozeli.
Po ashtu Kozeli tha se do të devijohet edhe rrjedha e lumit të Shkumbinit, e cila aktualisht godet trupën e hekurudhës.
“Është vendosur sistemi dhe disiplinimi i të gjithë ujërave sipërfaqësore në të gjithë zonën e planit të rrëshqitjes, devijimi i rrjedhës së lumit që aktualisht godet trupën e hekurudhës, për të garantuar mbrojtjen e saj”, shtoi ai.
