Do të punohet në aksin e rëndësishëm, ARRSH ka një njoftim për shoferët

ARRSH ka dhënë një njoftim të rëndësishëm për shoferët e aksit Rrogozhinë-Kavajë pasi pritet asfaltimi i këtij aksi.

“Gjatë kryerjes së punimeve qarkullimi i mjeteve do të jetë me shpejtësi të reduktuar dhe do të realizohet në përputhje me sinjalistikën e vendosur sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut të miratuar…”

Njoftimi i plotë: 

DEKLARATË E PËRBASHKËT PËR MEDIAN DHE OPINIONIN PUBLIK

AUTORITETI RRUGOR SHQIPTAR

POLICIA E QARKULLIMIT RRUGOR

Fillojnë punimet për riparimin e shtresave asfaltike dhe elementeve të sigurisë rrugore në aksin:

K/DALJE KAVAJË- DEGËZIM BISHTI ZHURIT (RROGOZHINË).

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informojnë median dhe opinionin publik se duke nisur nga dita e enjte, datë 1 prill 2021, ora 08:00 në mëngjes, në kuadër të projektit “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore Bazuar në Rezultate”, financim i Qeverisë së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, do të realizohen punime në rrugë si më poshtë vijon:

Punimet konsistojnë në riparime te shtresës asfaltike dhe të elementëve të sigurisë rrugore në segmentin rrugor Spille–Bishti i Zhurit (Rrethrrotullimi i Rrogozhinës) në të dyja drejtimet.

Gjatë kryerjes së punimeve qarkullimi i mjeteve do të jetë me shpejtësi të reduktuar dhe do të realizohet në përputhje me sinjalistikën e vendosur sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut të miratuar.

Punimet planifikohen të realizohen gjatë harkut kohor: prej datës 01.04.2021 deri në datë 08.04.2021, kjo edhe në varësi të motit.

Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe kompanisë së mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut sipas planit të menaxhimit të miratuar.

Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe menaxhimit të trafikut për të lehtësuar qarkullimin e mjeteve dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.

ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve dhe bizneseve të zonës gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë segment rrugor, respektimin në mënyrë rigoroze të sinjalistikës provizore të vendosur, rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe udhëzimet e policisë rrugore në terren.

 


Shtuar 31.03.2021 20:42