Policia e Kosovës ka bërë të ditur të enjten se më 4 gusht do ta zvogëlojë për 25 për qind prezencën në dhe rreth objekteve komunale në veri të Kosovës.
Policia e ka marrë një hap të tillë edhe në korrik, në kuadër të marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionim të situatës në atë pjesë të vendit.
Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se vendimi është marrë pas vlerësimit të situatës së sigurisë me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR dhe misionin e Bashkimit Evropian për Sundimit të Ligjit, EULEX.
Situata në veri është tensionuar në fund të majit pasi serbët lokalë e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Ata nuk i kanë pranuar kryetarët, ndonëse i kanë bojkotuar zgjedhjet.
Për disa javë, para ndërtesave janë mbajtur protesta çdo ditë, me kërkesë që kryetarët të tërhiqen, bashkë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të angazhuar në atë zonë.
Një tjetër pikë e marrëveshjes parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.
Mirëpo, së fundi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhje nuk mund të ketë pa shtensionim të plotë të situatës në veri.
“Në do të sigurohemi që kjo përvojë e re që do ta kemi me ndërprerjen e mandatit të këtyre kryetarëve në veri, të ketë mbështetjen dhe garancitë ligjore dhe procedurale. Pra, duhet të sigurohemi që procesi i tillë të jetë aq e sigurt saqë të jetë e pasfidueshëm në kuptimin legal dhe juridik”, ka thënë Kurti, gjatë një konference për media.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.
Ky peticion, sipas Krasniqit, do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), që do ta verifikonte atë, dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari. /REL