Diplomati serb, Sreqko Gjukiq, tha sot se presidenti rus Vladimir Putin, duke deklaruar se vetëvendosja dhe pavarësia e të të ashtuquajturave Republikave Popullore të Donetskut dhe Luhanskut (DNR dhe LNR) bazohen në precedentin e Kosovës, në fakt deklaroi se e njeh pavarësinë e Kosovës.
Në një takim dje me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, Putini tha se të vetëshpallurat DNR dhe LNR u bënë të pavarura në analogji me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për situatën në Kosovë, e cila, siç tha ai, u mbështet nga të gjithë.
“Në fakt, Putini deklaroi se ai njeh pavarësinë e Kosovës dhe gjithçka që Kosova dhe sponsorët e saj kanë bërë për këtë”, tha për “Beta” Gjukiqi, ish-ambasador në Minsk dhe anëtar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, transmeton Zeri.
Siç tha ai, precedenti njihet si pjesë e së drejtës ndërkombëtare dhe “këtyre fakteve të paraqitura dje, duhet shtuar se pala ruse në vitin 2008 i është referuar precedentit të Kosovës në rast të shpalljes së pavarësisë nga Moska dhe njohjes së Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë”.
“Me këtë lëvizje, Moska ndoshta ka ndërmarrë një hap vendimtar në njohjen e Kosovës dhe sigurisht në lehtësimin e pozitës për zgjidhjen e saj ndaj Washingtonit dhe gjithë Perëndimit”, tha Gjukiqi.
Ai shtoi se Beogradi, si shumë herë, mbetet në binarin historik të moskuptimit të interesave dhe marrëdhënieve të të mëdhenjve, duke ndjekur verbërisht politikën e dy-tri karrigeve, e cila përfundimisht u shndërrua në politikë të “Noes”./zeri