DINAMIKA/ Një i vrarë dhe tre të plagosur! Krimi në mes të Rrëshenit, dalin pamjet e makinës së djegur

Paraditen e kësaj të marte, në lokalin e tij në Rrëshen, u vra me armë zjarri Martin Bardhi, ndësa plumbat kapën dhe tre personat me të cilët viktima po konsumonte kafen e mëngjesit.

Olti Gjini, Ilir Bardhoku dhe Indrit Bardhi, ky i fundit djali xhaxhit të viktimës, Martin Bardhi janë identitetet e të plagosurve.  Ata janë dërguar në spitalin e Traumës, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Si ndodhi ngjarja?

Rreth orës 11:00, ndërsa Martin Bardhi ka qenë duke pirë kafen me personat e lartpërmendur, pranë tyre ka mbërritur një makinë tip “Jeep” i zi.

Nga mjeti është qëlluar me armë duke lënë të vdekur Bardhin dhe të plagosur tre personat e tjerë, të cilët nuk dihet nëse kanë qenë shënjestër e autorëve.

Pas të shtënave, autorët, të cilët ishin të maskuar, janë larguar me shpejtësi me mjetin e tyre.

Pas ngjarjes, policia në fshatin Gëziq, Mirditë, ka konstatuar duke u djegur një automjet tip fuoristradë, që dyshohet se është përdorur nga autorët, për kryerjen e vrasjes.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të informacionit të dhënë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Rrëshen, ku nga shtetas ende të paidentifikuar, u vra me armë zjarri shtetasi M. M. (B.)., ju informojmë se si pasojë e të shtënave, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri, shtetasit I. B., I. B. dhe O. Gj., të cilët kanë qenë në afërsi të vendit ku ka ndodhur ngjarja dhe janë transportuar në spital, për të marrë ndihmën mjekësore.

Ndërkohë, në fshatin Gëziq, Mirditë, është konstatuar duke u djegur një automjet tip fuoristradë, që dyshohet se është përdorur nga autorët, për kryerjen e vrasjes.

Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe në ndihmë të Policisë lokale, janë nisur Forcat Speciale “RENEA” dhe FNSH, si dhe në Rrugën e Kombit, në drejtim të Kukësit, të Laçit, Lezhës dhe Dibrës, janë ngritur pika kontrolli.

Gjithashtu, drejt vendit të ngjarjes janë nisur Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe drejtorët e departamenteve të Policisë Kriminale, si dhe të Rendit dhe Sigurisë Publike.

Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSH dhe nga Policia vendore, dhe në drejtimin e prokurorit, vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Motivi i krimit

Shkak i vrasjes dyshohet të jetë hakmarrja.

Kujtojmë se në mars të këtij viti, viktima së bashku ,e djalin e tij kanë tentuar të vrasin me armë zjarri Saimir Reçin, nipin e Kastriot Reçit, pronari i një televizioni lokal në Lezhë, i vrarë me snajper në muajin janar të vitit 2021 në Rrëshen.

Si nisi sherri mes babë e bir dhe Saimir Reçit

Sipas policisë, Enrik Bardhi (djali i viktimës së sotme) ka pasur një konflikt me Saimir Rexhin për parakalim në rrugë.

Saimir Reçi dhe Enrik Bardhi kanë zbritur nga automjetet dhe janë përplasur fizikisht me njëritjetrin në mes të qytetit.

Më pas, Enrik Bardhi ka shkuar në banesë dhe së bashku me të atin, Martin Bardhi kanë marrë një armë zjarri pistoletë dhe kanë qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte Saimir Reçi.

Autorët kanë qëlluar në një distancë të afërt në anën e shoferit të BMW, çka e dëshmuan dhe shenjat e plumbave, por mjeti i blinduar e shpëtoi të riun Reçi pa marrë lëndime./albeu.com