Në një letër drejtuar Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Eduart Shalsi dhe Ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, Presidenti Enio Jaço ka shprehur zhgënjimin e Dhomës për shkeljet e përsëritura, flagrante ligjore në procesin e konsultimit publik si dhe ndërhyrjet e shpeshta në paketën fiskale kur Qeveria është zotuar publikisht për mos ndryshime frekuente të saj.
Jaço i ka kërkuar Komisionit të Ekonomisë shtyrjen e afatit të konsultimeve për ndryshimet në paketën fiskale 2022 dhe ka nënvizuar rëndësinë e një ligji të ri për tatimet si kërkesë e komunitetit ndërkombëtar të biznesit.
“Dhoma Amerikane rekomandon nisjen nga puna për hartimin dhe konsultimin e një Ligji të ri për Tatimin mbi të Ardhurat, që të harmonizohet me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare të kontabilitetit. Periudha 4-vjeçare në dispozicion të një ligji të ri të tatimit mbi të ardhurat, do i jepte mundësi grupeve të punës të unifikonin taksimin e pagamarrësve dhe personave fizikë e tregtarë. Kjo ka qënë një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar të biznesit, i cili do sillte një frymë të re në Investimet e Huaja Direkte, harmonizimin me standardet ndërkombëtare dhe krijimin e kushteve për uljen e informalitetit”.
Në qëndrimin e Dhomës Amerikane për paketën fiskale, ndër të tjera thuhet:
“Dhoma Amerikane shpreh shqetësimin mbi procesin dhe përmbajtjen e projektligjit si më poshtë: Thyerja e angazhimit publik për një paketë fiskale të qendrueshme me ndërhyrje të paktën njëherë në katër vjet. Pasi komuniteti i biznesit ka shprehur shqetësimin e vazhdueshëm, mbi ndryshimet e shpeshta mbi paketën fiskale dhe tatimet, si dhe në përshtatje me praktikat më të mira botërore, zyrtarë të lartë duke përfshirë Ministrin e Financave, Kryeministrin, etj., janë angazhuar publikisht për ndryshime më pak frekuente të ligjit, njëherë në çdo 4-vjeçar. Për rrjedhojë, ky projektligj bie ndesh me angazhimet publike qeveritare, pritshmëritë dhe planifikimet financiare të komunitetit të biznesit dhe dëmton klimën e besimit reciprok mes sektorit publik dhe atij privat mbi angazhimet publike.
Shkelja e Përsëritur e Afateve të Ligjit mbi Konsultimin Publik. Dhoma Amerikane vëren e zhgënjyer se u njoftua mbi projektligjet e paraqitur nga Këshilli i Ministrave mbi paketën fiskale 2022, pasi ato ishin miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe ishin depozituar pranë Kuvendit. Kjo praktikë – fatkeqësisht e përsëritur – është në shkelje të ligjit nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin publik”, i cili i kërkon autoriteteve shtetërore t’i ofrojnë palëve të interesuara një periudhë kohore të përcaktuar për të shqyrtuar dhe ofruar rekomandimet e tyre në lidhje me projekt-ligjin/et e propozuar.
Për arsyet e mësipërme, Dhoma Amerikane kërkon shtyrjen e afatit të projektligjit, nëpërmjet zbatimit te ligjit nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin publik”, duke i lënë mundësi grupeve të interesit të ushtrojnë të drejtën e tyre duke u njohur me përmbajtjen e ligjit dhe ofrimin e sugjerimeve për përmirësimin e tij”./albeu.com