DETAJET/ Makina e krimit rezulton e vjedhur! Zbulohen armët që ekzekutuan biznesmenin e plagosën 5 shtetas

Pas atentatit të rëndë në Lushjne me 1 viktimë dhe 5 të plagosur, është gjetur dhe makina me të cilën autorët kryen krimin e rëndë.

Burimet bëjnë me dije se mjeti tip “Golf” i cili u gjet i shkrumbur nga zjarri pas atentatit, është i vjedhur.

Gjatë kontrollit të policisë, u zbulua se brenda mjetit ishin dy kallashnikov që dyshohet se janë përdorur për atentatin në Lushnje.

Thuhet se autorët e krimit, të cilët nuk janë identifikuar akoma, kanë qëlluar në lëvizje nga makina e tyre, vetëm kanë hapur xhamin.

Atentati në lokalin e viktimës:

Atentati u krye nga persona të paidentifikuar, në zonën e Pedonales në Lushnje. Atentati dyshohet se kishte në shënjestër Bledar Muçën, 40-vjeçar, i cili mbeti i vdekur në vend.

Autorët qëlluan me breshëri ndaj viktimës në lokalin që ishte në pronësi të tij, duke lënë të plagosur të paktën dhe 5 persona të tjerë, Judin Velo, 32 vjeç, Ervis Tafa, 25 vjeç, Sara Liçi, 24 vjeçe, Eksara Sauli, 26 vjeçe, dhe Majlinda Gjyla, 66 vjeçe.

Viktima është biznesmen i njohur në Lushnje me disa biznese të regjistruara por nuk njihet si njeri problematik.

Pas atentatit, autorët i kanë vënë flakën makinës “Golf” bashkë me dy kallashnikovë, të cilët janë përdorur për vrasjen. /albeu.com/

 


Shtuar 24.08.2021 09:08