Të tjera detaje kanë dalë nga kapja e autorit të vrasjes së 37-vjeçares në Elbasan.
Sipas burimeve, mësohet se Ramis Mici u gjet i fshehur poshtë përroit të Zaranikës. Prej më shumë se 24 orësh ai kishte qëndruar i fshehur poshtë urës.
Gjithashtu bëhet me dije se policia ka arritur ta gjejë autorin pas kërkimeve intensive të policisë me qen.
Qeni i ka çuar në afërsi të vendndodhjes së tij, pranë Doganës së Elbasanit aty ku kalon shtrati i përroit të Zaranikës. Vendi ku u arrestua Mici është rreth 250 metra larg nga shtëpia ku ka bërë vrasjen.
37-vjeçarja Jetlira Elezi kishte 6 vite që bashkëjetonte me Micin në një shtëpi që e kishin marrë me qira në lagjen “Skënderbej.”
Ajo ishte nga qyteti i Belshit, dhe kryesisht të dy ishin pa punë të qëndrueshme.
Jetlira Elezi ishte e divorcuar dhe kishte një vajzë edhe autori është i divorcuar dhe ka dy fëmijë.
Mësohet se 6 ditë para krimit makabër, Elezi kishte kërkuar urdhër mbrojtje. Burime zyrtare nga prokuroria e Elbasanit i thanë ABC se pesë ditë më parë ata ishin shoqëruar në ambientet e policisë Elbasan, ku ajo kishte denoncuar dhunën e bashkëjetuesit.
Ishte pronari i banesës ai që e gjeti Jetlirën të mbuluar nga gjaku ditën e djeshme.
“Doli ai nga dera, e kishte përplas derën. Kur e pashë ajo kishte rënë përmbys, gjak dynjaja. Kjo ka ndodh nga ora 12.50”, tha ai për mediet.