DETAJET/ Gjimnazisti nga Kamza refuzon matjen e temperatures dhe rreh policin e shkollës

Masat e shtuara gjatë pandemisë së shkaktuar nga Covid 19, midis tyre edhe urdhri për të matur temperaturën e qytetarëve, kanë nxitur sherre që jo pak herë, jo vetëm kanë përfunduar në polici, por edhe përpara gjyqtarëve. Ky është rasti i një 17-vjeçari, i cili u nevrikos aq shumë me oficerin e sigurisë së shkollës, saqë e ftoi atë të sqaroheshin jashtë ambienteve, ku i mituri studion.

Çështja, së pari ka përfunduar pranë komisariatit numër 6 (Kamëz), më tej ka vijuar procedurën në gjykata pas mosmarrëveshjes midis nxënësit nga njëra anë dhe oficerit që ka këmbëngulur se duheshin respektuar rregullat.

Sipas burimeve ngjarja angazhoi policinë vendore në muajin prill dhe vendimi është dhënë në muajin nëntor nga gjyqtari për të miturit, i cili gjatë shpalljes fajtor, deklaroi se mbante parasysh që i akuzuari është nën moshë dhe se për këtë arsye ai duhej dënuar me 4 vite, me kushtin që të sillej mirë dhe të reflektonte.

Dosja tregon se si 17-vjeçari nga Kashari (Tiranë), me inicialet E.M., u konfliktua me rojen e shkollës dhe se inati i tij nuk u përmbajt më pas, duke gjetur pretekste të tjera me qëllimin për t’u përplasur fizikisht me oficerin e sigurisë. I konsideruar nga gjykata si i mitur në konflikt me ligjin, 17-vjeçari u akuzua për goditje për shkak të detyrës sipas fashikujve të gjykimit në adresë të tij.

“Ka bërë kallëzim oficeri i sigurisë së shkollës së mesme të bashkuar “100-Vjetori i Pavarësisë”, shtetasi A., i cili ka shpjeguar se ka pasur një konflikt fizik me shtetasin E.M., nxënës i kësaj shkolle, ku të pranishëm gjatë konfliktit kanë qenë dhe dy nxënës të tjerë, shokë të tij“, – deklaron policia.

Gjykata vëren se denoncuesi shpjegon se mban detyrën e oficerit të sigurisë dhe merr turnin në orën 07:30 dhe e dorëzon në orën 16:30.

“Në mëngjes, në kohën e matjes së temperaturës së nxënësve, E.M., ka hyrë në shkollë pa pritur radhën e matjes së temperaturës dhe nuk i është përgjigjur thirrjes së tij që të kthehet, por ka vazhduar të ngjitet në shkallë, duke i thënë se do të kthehej më vonë”.

Teksa të tjerët i janë bindur kërkesave për të matur temperaturën, kur roja ka kërkuar respektim të urdhrit edhe nga nxënësi në fjalë, i mituri është kthyer, duke pretenduar se do dalë jashtë shkollës.

“Meqënëse kishte filluar mësimi, pasi ora ishte 08:03, nuk e lejova”, – deklaron oficeri. I mituri është përpjekur të dalë nga dera e palestrës, por ajo ka qenë e mbyllur.

Pas debateve, oficeri e ka shoqëruar nxënësin në drejtori, ku dhe kanë qëndruar gati 20 minuta. Më pas, me lejen e drejtorit, nxënësi ka dalë të marrë çantën dhe kur është kthyer, i ka thënë: “Është më mirë kështu apo jo”.

Por brenda të njëjtës ditë, situata ka vijuar e pasqaruar dhe sipas gjykatës dhe dëshmive të dëgjuara në seancë , kur oficeri i sigurisë po qëndronte pranë shkallëve së bashku me mësuesin e fizkulturës, pranë tyre u afrua i mituri.

“Hajde jashtë shkollës se kam një muhabet, – e ka ftuar i mituri dhe më pas ka shtuar. – Hajde të përqafoj se kam një dhuratë për ty”.

Ndonëse oficeri këmbëngul se kërkoi të bisedonin brenda oborrit të shkollës, së bashku me 17-vjeçarin janë afruar edhe dy të mitur të tjerë. Në momentin që oficeri i ka kërkuar rojes të mbyllte portën, ai është ndodhur nën sulmin fizik të nxënësve. I pyetur nga gjykata, i mituri është mbrojtur me pretendimin se e sulmoi me shkelma dhe grushte, pasi oficeri i shkollës konfliktohej vazhdimisht me të.

“Është e vërtetë, – citohet në vendimin e gjykatës, – oficeri A., është konfliktuar me nxënësin, por kjo ka ndodhur për shkak të detyrës nga sjellja jo korrekte e nxënësit, që e ka mbyllur çdo gjë me dhunë fizike. Në një rast, shkolla e ka zgjidhur përplasjen me ndërmjetësim”.

Në krah të nxënësit, kanë dalë edhe mësuesit, psikologia dhe drejtori i shkollës që e konsiderojnë përplasjen si një moment keqkuptimi.

“Nxënësi ka rezultate të larta në mësime dhe është me sjellje korrekte”, – dëshmoi në gjykatë psikologia, ndërkohë që nga vëzhgimi që i bëri Gazetasi.al këtij procesi, u pa se për përplasjen, nxënës-oficer, u administruan edhe pamjet filmike, ku pasqyrohet momenti i sulmit ndaj oficerit.

“Oficeri i sigurisë, shtetasi A., nuk është paraqitur në I.M.L, ka lëshuar një deklaratë noteriale me qëllim normalizimi që në momentet e para. Është bërë këqyrje fizike e tij, ku pasqyrohet në pjesën e kokës, në anën e majtë sipër ballit, një skuqje e lehtë e lëkurës”, – përshkruan policia, e cila numëron se për të sqaruar incidentin e nisur nga pandemia, kishte marrë në kushte flagrance dëshmitë e pothuajse gjithë stafit të shkollës, më kryesorët, tetë prej tyre.

“Rezulton se shtetasi A., ka qenë duke ushtruar funksionet e tij të shërbimit dhe për shkak të kësaj detyre, është goditur nga i riu në konflikt me ligjin.

“Këtë vepër, i riu në konflikt me ligjin, nga ana subjektive e ka kryer me faj, në formën e dashjes direkte, pasi ai e ka parashikuar dhe ka dëshiruar pasojat e veprës”, – thotë gjykata, që pasi i pa dhe i dëgjoi të gjithë, urdhëron në vendimin që Gazetasi.al disponon: “Çmohet nga gjykata, se do të realizojë njëkohësisht jo vetëm qëllimin e ndëshkimit ndaj të riut në konflikt me ligjin për veprën penale të kryer, por edhe atë të rehabilitimit, edukimit dhe riintegrimit të tij në të ardhmen në shoqëri”./SI


Shtuar 24.11.2021 15:29