Detaje nga atentati në Durrës/ “Shënjestra” u qëllua nga një automjet, pl*mbi i preku krahun e majtë

36-vjeçari Arbër Gorgea u plagos mbrëmjen e sotme në zonën e Fllakës, në Durrës, nga të shtënat me armë zjarri.

Nga burimet policore mësohet se ngjarja ka ndodhur pranë një shkolle, në kufirin midis zonës së Shënavlashit dhe Fllakës.

Sipas të dhënave paraprake, autorët kanë qëlluar nga një automjet tip “Ford” në lëvizje, duke e goditur të plagosurin në krahun e majtë me armë të llojit pistoletë.

Pas ngjarjes, ai ka arritur të shkojë vetë deri te Komisariati i Policisë, ku ka kërkuar ndihmë për të shkuar në spital.

36-vjeçari ka qenë i plagosur edhe dy vite më parë në një tjetër atentat, duke ngritur dyshime për një përplasje të vazhdueshme mes palëve.

Aktualisht, ai ndodhet në sallën e operacionit në Spitalin Rajonal të Durrësit, ndërsa forca të shumta policie janë të pranishme në ambientet e spitalit dhe në vendin e ngjarjes. Hetimet janë në vijim për të zbardhur motivin dhe autorët e sulmit.


Shtuar 30.05.2025 22:39