DETAJE/ “Koçolja” dhe Sulovari dyshohen të groposur në Vrinë, nisin kërkimet private

46-vjeçarët Leonard Thodhori i njohur si “Koçole” dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, dyshohet te jenë ekzekutuar dhe groposur në fshatin Vrinë të Bashkisë Konispol.

Prej orëve të mëngjesit, rreth 50 familjarë te Fatmir Sulovarit janë nisur drejt kësaj zone për ta krehur fizikisht dhe me mjete logjistike me qëllim gjetjen e trupave.

Burimet policore tregohen shumë të rezervuara në dhënien e informacioneve, megjithatë është mësuar se personat e shoqëruar prej 48 orësh janë me precedentë penalë, disa madje edhe të arrestuar dy vitet e fundit nga policia e Sarandës për vepra të rënda, por të liruar më pas nga Gjykata e këtij qyteti.

Ende nuk ka informacion nëse ndaj tyre ka ndonjë masë arresti, por motivi kryesor i ngjarjes mendohet të jetë shit-blerja e një toke, edhe pse personat e dyshuar kanë precedentë për çështje të mëdha narkotikësh.

Autorët e dyshuar janë kujdesur të fshehin provat mirë, pasi një prej 8 automjeteve të sekuestruara për verifikim, rezulton që ka pasur disqet e gomave të lyera për kamuflim.

Mungesa e provave konkrete, por kryesisht e trupave, mendohet se është arsyeja pse policia nuk po e konkludon operacionin me arreste.

Megjithatë para Komisariatit të Sarandës është vënë re në orët e para të mëngjesit një sasi e konsiderueshme efektivësh e automjetesh, ndoshta për te rinisur operacionin qe prej disa ditësh po zhvillohet në bashkëpunim me Forcat Operacionale të Vlorës./ora


Shtuar 23.04.2023 10:46