DËSHMIA/ Erion Goxhara rrëfehet tek kolegët: Isha me vajzën kur pashë Kostën… e qëllova me armën e shërbimit

Zbardhet dëshmia e policit Erion Goxhara për plagosjen e Lorenc Kostës tek “Komuna e Parisit” pak ditë më parë.

Para kolegëve ai ka pranuar se ka përdorur armën e shërbimit për ta qëlluar.

“Kam qenë në lokal duke drekuar me vajzën time, kam parë Lorenc Kostën rastësisht. Kam çuar diku vajzën dhe e kam lënë aty dhe jam kthyer ku edhe kam qëlluar ndaj tij. Nuk e kam bërë me paramendim, dhe nuk kam patur për qëllim ta vras. Kam përdorur armën e shërbimit që mbaja me vete”, mësohet të ketë thënë Goxhara.

Në vijim të dëshmisë, Goxharaj mësohet të ketë deklaruar se “Kosta më provokonte sa herë përballesha dhe më thonte “do të heq nga puna””.

Dëshmia e Erjon Goxharës:

“Ndodhesha tek Komuna e Parisit me time bijë, ishim ulur në një sufllaqe. Para tavolinës sonë kaloi Lorenc Kosta dhe më provokoi. Kaloi dy herë para tavolinës sime.

Ai më ngacmonte gjithmonë që përballeshim dhe më thoshte s’më bën dot gjë mua sepse unë të heq nga puna.

Në përballjen e fundit nuk durova më dhe e qëllova. Nuk kam dashur ta vras prandaj qëllova poshtë. Pas ngjarjes kam telefonuar tim bir dhe e kam takuar.

Ikëm bashkë me taksi për në Fresk. Aty jam përballur me një polic civil i cili më thirri me emër dhe më tha të qëndroj duke më nxjerrë armën. Unë i thashë më mirë vras veten sesa të dorëzohem dhe jam larguar në drejtim të Dajtit derisa vendosa të vetëdorëzohem”, ka deklaruar Goxhara.

Ky i fundit dyshohet si autor i plagosjes së 45-vjeçarit Lorenc Kosta, ndërsa për pothuajse 72 orë qëndroi në arrati.

Policia e Tiranës kishte vendosur një shpërblim prej 10 mijë eurosh për informacione që do të çonin në arrestimin e efektivit të policisë së Kufirit.

Dyshohet se ai shtiu disa herë ndaj Kostas me armën e shërbimit, por në momentin që kreu atentatin ndaj tij, nuk ishte në shërbim.


Shtuar 22.08.2024 10:41