Krerët e Shërbimit Federal të Inteligjencës Gjermane kanë paralajmëruar parlamentin e vendit për mundësinë që Rusia të nisë një sulm bërthamor në Ukrainë.
Sipas artikullit të botuar në revistën Der Spiegel, inteligjenca gjermane pretendon se ka informacione edhe për shërbimet sekrete ruse, të cilat mund të kryejnë atentate politike në tokën gjermane.
Kreu i Shërbimit Federal të Inteligjencës të Gjermanisë (BND), Bruno Kahl dhe kreu i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), Thomas Haldenwang, bënë deklarata në parlamentin gjerman, i cili mblidhet një herë në vit në publik për të dëgjuar vlerësimet e statusit aktual nga shefat e inteligjencës.
Shefi i BfV tha se lufta në Ukrainë ka “ndryshuar rregullat e lojës” në të gjitha fushat e politikës dhe përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Gjermanisë.
Haldenwang tha se 40 spiunë rusë u dëbuan nga Gjermania në prill, “por kjo nuk është e gjitha”.
Siç pretendon kreu i BfV “niveli operacional i shërbimeve të inteligjencës ruse në Gjermani është ulur” dhe BfV ka përpunuar skenarë për mundësinë që shërbimet e inteligjencës ruse të organizojnë atentate politike në tokën gjermane.
Kahl paralajmëroi Parlamentin gjerman se Putini mund të përdorë “armë bërthamore nën-strategjike”. Sipas mendimit të kreut të BND, qeveria ruse mund të përpiqet të imponojë paqen në Ukrainë me kushte të pafavorshme.
Nga pala ruse nuk ka asnjë shenjë kompromisi, thotë ai. Deklaratat e tij janë vetëm hamendje. BND nuk ka prova që të tregojnë se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore, sqaron revista Der Spiegel./abcnews.al./