Socialisti Erion Braçe është i vetmi i cili është bashkuar sot me minatorët e Spaçit në protestën para parlamentit. Erion Braçe u shpreh në protestë se ministria përgjegjëse duhet të detyrojë kompanitë që të pranojnë kërkesat e minatorëve.
“Ministria e Punës duhet të bëjë atë që i ngarkon ligji: jo të zbusë situatën, por të garantojë zbatimin e Kushtetutës nga kontraktori i shtetit shqiptar për shfrytëzimin e vendburimit.
Pra, duhet të detyrojë kompaninë të njohë sindikatën tuaj dhe përmes saj t’i përfaqësoheni për të gjitha të drejtat tuaja. Kjo është themelore.”-tha Braçe.
Kërkesa e minatorëve është njohja e sindikatës së krijuar prej tyre dhe nënshkrimin e një kontrate kolektive, që sipas tyre do të garantonte paga të drejta dhe kushte të sigurta pune. Mes kërkesave është ajo e njohjes së statusit të minatorit.
“Kërkojmë të drejtat tona. Duam atë që na takon nga shteti shqiptar. Duam kontrata kolektive.”-deklaroi një nga pjesëmarrësit në protestë.
