Me sloganin “Jo në emrin tim”, në Prishtinë është protestuar kundër Gjykatës Speciale pas dënimit me 26 vjet burgim për krime lufte të ish-komandantit të UÇK, Salih Mustafa.
Protesta e së shtunës u organizua nga Partia Socialdemokrate (PSD).
Kreu i kësaj partie, Dardan Molliqaj, ka bërë thirrje për unitet për ta kundërshtuar këtë gjykatë.
“Lufta për liri është shenja që ky është shteti jonë. Damkosja e kësaj lufte është sulm mbi Kosovën e pavarur. Edhe 23 vjet pas çlirimit, çlirimi po ka kosto”, tha ai.
Ai e ka quajtur absurd dënimin e Salih Mustafës.
“Shikoni aktgjykimin e kësaj gjykate ku thotë që duhet të dënohet komandant Cali është nëse viktima është vrarë nga plumbat e ushtrisë serbe. Kjo është e pritshme kur gjykata nuk e ka qëllim drejtësinë, por e ka qëllim dënimin e UÇK-së. Procesi i Speciales na ka nxjerrë edhe një mësim, liria mund të fitohet një herë, por duhet të mbrohet çdo ditë”, ka thënë ai.
Molliqaj tha se duhet të veprohet tash dhe të mos priten dënime të tjera, por se duhet të rrëzohen edhe dënimi ndaj Mustafës.
“Ne nuk jemi këtu për t’i dekoruar ata që e kanë kundërshtuar këtë gjykatë, e as fajësuar ata që e kanë votuar këtë gjykatë… Duhet të bëhemi bashkë nëse e kemi njëmend mbrojtjen e UÇK-së. Nën akuzë e kemi përndjekjen për liri, i kemi themeluesit e UÇK-së, e kemi shtabin e UÇK-së, komandantë të zonave operative, prandaj atyre që u thuhet se nuk po dënohet UÇK-ja, por individët, përgjigjuni thjesht se juve nuk ju intereson as UÇK-ja”, tha ai.
U.d i kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se aty gjykohen vetëm shqiptarët dhe jo kriminelët serbë që kryen krime në Kosovë.
“Gjykata Speciale gjykon vetëm shqiptarët, por jo krimet e kryera në Kosovë, jo krimet e masakrat që i ka shkaktuar pushtuesi serb ndaj civilëve. Gjykon vetëm UÇK-në, duke e quajtur edhe ndërmarrje e përbashkët kriminale”, tha ai.
Protestuesit kanë protestuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri në hapësirën përballë Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.
Në mesin e protestuesve janë parë edhe deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës – Hisen Berisha, Ganimete Musliu dhe Ariana Musliu Shoshi.
Gjykata Speciale, me seli në Hagë, funksionon sipas ligjeve të Kosovës.
Mustafa është dënuar për vrasje të paligjshme, torturë dhe ndalim arbitrar. Ai është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.
Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Vetë ai është deklaruar i pafajshëm për akuzat ndaj tij.
Vendimi ndaj Mustafës përbën aktvendimin e parë të Gjykatës Speciale lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.
Përveç Mustafës, të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi dhe Shala dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer mes marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Gjykata Speciale e Kosovës është formuar pas publikimit të një raporti të Këshillit të Evropës më 2011, nën autorësi të senatorit zviceran, DickMarty.
Në atë raport janë përmendur krimet e pretenduara në Kosovë./rel