Del fotoja, ky është Naim Bajri që u ekzekutua me 7 plumba mëngjesin e sotëm në Shkodër

Fotoja që shihni më poshtë është e 68-vjeçarit Naim Bajri, që u ekzekutua me 7 plumba mëngjesin e sotëm ndërsa ishte duke pirë kafe me punatorin e tij.

Naim Bajri është tregtar peshqish në Shkodër. Ai është babai i Indrit Bajrit, i cili është ekzekutuar në vitin 2001.

Dyshohet se vrasja e tij është për hakmarrje, ndërsa autorët nuk dihet se kush janë. Ata vazhdojnë të jenë të paidentifikuar dhe në arrati.

Si ndodhi vrasja:

Rreth orës 07:20, në lagjen “Rus”, Naim Bajri, tregtar peshku, ka qenë duke pirë kafe me punëtorin e tij. Në këtë moment, persona me një makinë, kanë ardhur dhe kanë qëlluar në drejtim të tavolinës së tyre.

Ata kanë qëlluar 10 herë dhe për pasoja ka mbetur i vdekur në vend Naim Bajri, ndërsa punëtori i tij, Astrit Zeneli, ka mbetur i plagosur, jashtë rrezikut për jetën. Viktima ka marrë 7 plumba ndërsa i plagosuri vetëm 1 në krah. Autorët, pas krimit, janë larguar menjëherë nga vendngjarja.

Janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës nga Policia vendore dhe FNSH Shkodër, si dhe janë nisur në drejtim të Shkodrës, grupe të RENEA-s.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si Naim Bajrit i vranë djalin në vitin 2001:

Më 21 tetor të vitit 2001, Ilmir Hajdari, së bashku me Xhabir Shegajn dhe Kujtim Barbullushi ekzekutuan Indrit Bajrin(djalin e Naim Bajrit) me armë automatike. Vetë Shegaj u ekzekutua me snajper në vitin 2015 për vrasjen e Indrit Bajrit. Në atë kohë policia bëri me dije se Ilmir Hajdari kishte debatuar me Indrit Bajrin e në grindje e sipër kishin kërcënuar njëri-tjetrin e ishin ndarë të acaruar. Ditën e ngjarjes, Ilmiri, pasi kishte marrë me vete edhe Xhabir Shegën e Kujtim Barbullushin, po udhëtonin me një makinë “Mercedes Benz”. Të tre të pandehurit ishin të armatosur me armë dhe po lëviznin nga qendra e qytetit në rrugën kryesore, në drejtim të lagjes “Partizani” (Rus). Te kryqëzimi, pranë Shkollës së Muzikës, në trotuarin pranë restorant “Podgorica”, Ilmir Hajdari ka vënë re Indrit Bajrin dhe ky i fundit ka vënë re atë (Hajdarin). Menjëherë ata kanë reaguar ndaj njëri-tjetrit dhe Ilmiri ka qëlluar në drejtim të tij. Po ashtu, ndaj Bajrit kanë qëlluar Xhabir Shega e Kujtim Barbullushi, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Në lidhje me këtë ngjarje (vrasjen e Indrit Bajrit), Ilmir Hajdari është dënuar me 16 vite burg. Ky i fundit është arrestuar në vitin 2009, por pas 4-5 vitesh është liruar, sepse ka deklaruar në sallën e gjyqit se nuk është ai autori i vrasjes se Indrit Bajrit./albeu.com

 


Shtuar 3.06.2022 14:59