DINAMIKA/ U qëllua nga një makinë, si u vra duke pirë kafe Naim Bajri, plumbat kapin dhe punëtorin e tij (VIDEO)

Është zbardhur dinamika e ngjarjes së rëndë në Shkodër, ku mbeti një person i vrarë me armë zjarri dhe një tjetër i plagosur.

Burime bëjnë me dije se rreth orës 07:20, në lagjen “Rus”, Naim Bajri, tregtar peshku, ka qenë duke pirë kafe me punëtorin e tij. Në këtë moment, persona me një makinë, kanë ardhur dhe kanë qëlluar në drejtim të tavolinës së tyre.

Ata kanë qëlluar 10 herë dhe për pasoja ka mbetur i vdekur në vend Naim Bajri, ndërsa punëtori i tij, Astrit Zeneli, ka mbetur i plagosur.

Autorët janë larguar menjëherë nga vendngjarja. Në bypassin e Shkodrës është gjetur një makinë e djegur, që dyshohet të jetë e autorëve të ngjarjes.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur punën për zbardhjen e vrasjes si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Njoftimi i policisë:

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 07:20, në vendin e quajtur “Merkata e Rusit”, në lagjen “Partizani”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi N. B., 68 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër dhe ka mbetur i plagosur lehtë, jashtë rrezikut për jetën, shtetasi A. Z., 58 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër.

Gjithashtu në livadh, në lagjen “Guerrile”, Shkodër, është gjetur i djegur një mjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.

Janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës nga Policia vendore dhe FNSH Shkodër, si dhe janë nisur në drejtim të Shkodrës, grupe të RENEA-s.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve./albeu.com

Shtuar 3.06.2022 08:04