Dekonspiroi policinë, mbyllet hetimi për ish-shefin e Krimeve, akuzat që rëndojnë ndaj tij

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Leonard Palushin.

Ish-shefi i Sektorit për Hetimin e Krimeve në Elbasan, akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike’’.

Ai dekonspiroi policinë, duke marrë shpërblim nga Erion Alibej, i cili njihet si organizator dhe urdhërues i disa vrasjeve të ndodhura në Elbasan.

Njoftim për shtyp:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit t Organizuar, në bashkëpunim me Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë përfunduar hetimet dhe dërguar për gjykim procedimin penal Nr.75/1, në ngarkim të të pandehurit Leonard Palushi, akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike’’, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Nga hetimet ka rezultuar se, në vitin 2020 i pandehuri Leonard Palushi ka qenë efektiv i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan ku ka ushtruar detyrën e Shefit të Sektorit për Hetimin e Krimeve.

Gjatë ushtrimit të detyrës së tij, i pandehuri Palushi ka krijuar raporte me të hetuarin E. A. dhe ka marrë tërthorazi prej tij perfitim te parregullt për të kryer në vijimësi veprime që lidhen me detyrën e tij si punonjës policie (në mbështetje të E. A.).

Hetimi ka provuar se i pandehuri Leonard Palushi ka marrë në datën 23.06.2020 nga i hetuari E.A. një përfitim të parregullt automjet tip “Mercedes Benz”.

I pandehuri Leonard Palushi duke qënë i ndërgjegjshëm që ky veprim ishte në kundërshtim me ligjin, ka kryer veprime kamufluese për të mbuluar faktin e dhurimit dhe pronarin e vertetë të këtij mjeti duke paraqitur si blerës nje shtetas të njohur të tij.

Në vijim i pandehuri Leonard Palushi e ka mbështetur të hetuarin E A. me veprime në kuadër të detyrës së tij si punonjës policie në mënyrë të vazhdueshme, duke u takuar me të, takime këto për të cilat eproret e tij deklaruan se nuk ishin në dijeni.

Më konkretisht, në datën 27.07.2020 me kërkesë të E. A. i pandehuri Leonard Palushi ka dhënë informacionin mbi vendndodhjen e armës tek servisi i Manahasëve, me qëllim që sipas kërkesës së E.A, të krijohej konflikt midis dy grupeve. Mjeti Mercedes-Benz, C300, benzinë, përbën produkt të veprës penale sipas nenit 36 të Kodit Penal. Ky mjet është tjetërsuar më pas duke u shkëmbyer me mjetin tip TOYOTA RAV4, automat, ngjyrë Gri e Errët.

Për mjetin “TOYOTA”, RAV4, automat, ngjyrë Gri e Errët, Gjykata e Posaçme me vendimin nr. 67 datë 30.01.2023, ka vendosur masen e sekuestros preventive.

Për sa më sipër, i hetuari Leonard Palushi u mor i pandehur dhe dërgua për gjykim për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike’’, parashikuar nga neni 259 Kodit Penal.


Shtuar 13.02.2023 11:33