Deklarata e Kurtit për “60 mijë veteranët”, kërcënimi i Haradinajt dhe ndërhyrja e Çekut

Albin Kurti e ka rikthyer për debat temën e listës së veteranëve, çështje për të cilën disa vjet më parë prokurori Elez Blakaj e kishte përgatitur një aktakuzë. Ai pati dhënë dorëheqje në vitin 2018 për të shkuar më pas në SHBA, ndërsa Kurti donte ta kthente në Kosovë kur të vinte në pushtet. Ramush Haradinaj e ka kërcënuar Kurtin, ndërsa Agim Çeku është përfshirë në debat duke e dhënë një sqarim me rëndësi.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk janë më shumë se 20 mijë veteranë të luftës në Kosovë. Shefi i Qeverisë nuk dëshiron t’i përfshijë ata në ligjin e pagave dhe për këtë të mërkurën e ka marrë një kërcënim nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

“Qysh veteranët me marrë pagë minimale? Ata meritojnë shumë më shumë se pagën minimale. Por, duhet t’i bëjmë evidencat e sakta. Nuk janë 60 mijë veteranë. Nëse dikush dëshiron ta gënjejë veten, nuk mund të më gënjejë mua. Janë maksimalisht 20 mijë”, ka thënë Kurti në KTV para një jave.

Kjo deklaratë e riktheu në diskutim çështjen e veteranëve të luftës së fundit në Kosovë.

Ramush Haradinaj e kërcënoi Albin Kurti lidhur me këto deklarata. Kryetari i AAK-së i konsideron tallje me veteranët fjalët e kryeministrit.

“Kurti s’po do me e zbatu kriterin e pagës minimale edhe për kategoritë e luftës. Unë po them qetu para tij, i kam duru krejt shpifjet e dallaveret e tij e të tyre. Ka ndodh një proces gjyqësor; mos luaj më shumë me këto kategori, mos u tall më me to”, tha Haradinaj të mërkurën në RTV Dukagjini.

Ky, deklaroi Haradinaj, është “kërcënim publik e serioz”. Ai tha se “nuk durojmë pa kufi”.

“Ne i dalim këtij në rrugë dhe i tregojmë a mund të hyjë ky në zyre të vet nëse tallet me këto kategori”, tha ai.

Një ‘ndërhyrje’ në këtë debat e ka bërë ish-kryeministri Agim Çeku. Në Pressing të T7, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së propozoi të mërkurën të bëhet një “auditim i përfituesve të veteranëve”, pasi tha se kur u formua lista e veteranëve, është menduar që të përfitojnë vetëm të papunët.

Megjithatë, Çeku i cilësoi “joserioze” deklaratat e kryeministrit, i cili, siç tha ai, “nuk kërkon, por merr vendime”.

“Unë e shoh si një kthim prapa të këtij procesi, prapë një injorim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një këmbëngulje të tij dhe shumë njerëzve të tjerë se UÇK-ja ka qenë e vogël dhe thjesht, është një përpjekje që të relativizohet edhe më shumë roli i UÇK-së në lirinë dhe pavarësinë që e kemi sot”, tha Çeku.

Gjenerali – i cili e kishte kryesuar Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – tha se “s’e kemi paraparë që do të jetë numri aq i madh i atyre që janë përfitues”.

“Na kanë dalë diku 12 mijë, që kanë deklaruar se nuk janë të punësuar”, tha ai, duke shtuar se “esenca e kësaj pagese ka qenë që rastet sociale që vërtetë nuk kanë punë apo s’mund të gjejnë punë, t’i ndihmojë shteti me një pension”.

Rasti “Veteranët” në gjykatë

Në janar janë bërë një vit prej kur Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dhënë verdiktin e saj në rastin e njohur si “Veteranët”, ku për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar janë akuzuar ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim për këtë rast.

Themelorja më 19 janar të vitit të kaluar kishte vendosur për lirimin e 12 të akuzuarve, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa ishin pjesë e Komisionit.

Sipas aktakuzës, ata i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

Prokuroria e Shtetit kishte thënë se numri i përfituesve të jashtëligjshëm nga kjo kategori mund të jetë deri në 19 mijë persona.

Prokurori i cili e kishte përpiluar aktakuzën, Elez Blakaj, pati dhënë dorëheqje në vitin 2018 për të shkuar më pas në SHBA. Nga atje, ai pati thënë se kishte pranuar kërcënime sa kishte qenë duke hetuar disa raste të dyshuara për manipulime me listat e veteranëve të UÇK-së.

Në fushatën për zgjedhjet e parafundit parlamentare, Blakaj ishte bërë pjesë e rëndësishme e diskursit të Kurtit, i cili premtonte ta kthente sërish në Kosovë ish-prokurorin special.


Shtuar 31.03.2022 14:47