Partia Demokratike e Kosovës e ka cilësuar të papranueshëm qëndrimin e ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili deklaroi se aktgjykimi i Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe themeluesve të Republikës së Kosovës lidhet me “krime individuale”. Sipas PDK-së, një formulim i tillë diplomatik e zvogëlon rëndësinë historike dhe politike të vendimit për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
Të lidhura
None found
Në reagimin zyrtar të kësaj partie thuhet se Dhomat e Specializuara e kanë trajtuar UÇK-në në kuadër të konceptit të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”. Po aty, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë shpallur përgjegjës për kontributin e tyre në atë që aktgjykimi e përshkruan si qëllim të përbashkët kriminal të UÇK-së.
PDK rikujton se të njëjtët persona kanë qenë ndër bashkëpunëtorët kryesorë të NATO-s gjatë bombardimeve të caqeve serbe në vitin 1999.
Sipas kësaj partie, përkufizimi i çështjes vetëm si “krime individuale” nuk arrin të pasqyrojë dëmin dhe peshën që, në vlerësimin e saj, ky verdikt ka për Kosovën.
PDK deklaron se asnjë formulim diplomatik nuk mund ta ndryshojë përmbajtjen e aktgjykimit, të cilin e konsideron të papranueshëm, dhe as pasojat e tij në interpretimin e luftës së UÇK-së dhe të historisë së Kosovës.
Në reagim thuhet gjithashtu se drejtësia ndërkombëtare në Kosovë po perceptohet fatkeqësisht si një instrument politik, përmes të cilit përcaktohet se cilat figura politike duhet të largohen nga skena dhe cilat duhet të mbështeten. Sipas PDK-së, Dhomat e Specializuara përbëjnë shembullin më të dukshëm të abuzimit politik në emër të drejtësisë.
Partia shprehet se Kosova e çmon rolin historik të Britanisë së Madhe në çlirimin dhe konsolidimin e shtetit, por thekson se kritika ndaj funksionimit të Dhomave të Specializuara është ngritur edhe nga ekspertë dhe organizata britanike për të drejtat e njeriut. Në këtë kuadër, përmendet Bar Human Rights Committee of England and Wales, i cili ka shprehur shqetësime serioze për standardet e procesit dhe mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara.
PDK u bën thirrje shteteve që e mbështesin dhe e financojnë këtë institucion, veçanërisht Britanisë së Madhe, që të mos i shpërfillin këto shqetësime.
Partia Demokratike e Kosovës thotë se do të kundërshtojë çdo interpretim që, sipas saj, shtrembëron të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Ajo thekson se këtë do ta bëjë përmes çdo mjeti demokratik, politik dhe juridik, në institucione dhe në çdo hapësirë demokratike ku mund të dëgjohet zëri i qytetarëve të Kosovës, ashtu siç po dëgjohet edhe tani në mbarë botën.
“Nuk lejojmë që historia e Kosovës të rishkruhet. Të ardhmen e Kosovës e përcaktojnë vetë qytetarët e saj”, përfundon reagimi i PDK-së.
