Ditën e sotme, po mbahet mbledhja e komisionit hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe Check-Up në shëndetësi.
Në rendin e ditës, parashikohet se do të zhvillojë disa seanca dëgjimore, me përfaqësues të KLSH dhe përfaqësues të nismës “Thurje”, për të sqaruar rrethana të ndryshme, që lidhen me çështjen.
Rendi i ditës parashikon seancë dëgjimore me këto persona: Bexhet Zeqiri, Brunilda Zenelaj, Eduard Stafasani, Melina Kabo dhe Semiram Jakupi. Në orën 16:00 është Nisma “Thurje”, ku do të ketë seanca dëgjimore me Endrit Shabanin, Panajot Soko dhe Artan Konin.
Nënkryetari Plarent Ndreca, foli në lidhje me akuzat e Ina Zhupës se Milva Ekonomi është në konflikt interesi.
Ndreca tha se komisioni nuk është gjykatë dhe anëtarët nuk janë magjistratë.
Deputeti demokrat Saimir Korreshi, ka reaguar në lidhje me deklaratën e nënkryetarit të komisionit hetimor të “Shëndetësisë” Plarent Ndreca, se komisioni nuk është gjykatë.
Korreshi tha se komisioni në një farë mënyre është trupë gjykuese, ndërsa mbi faktin se Ndreca foli për mungesë paanshmërie, Korreshi tha se ky komision u ngrit me kërkesën e opozitës.
Pjesë nga diskutimi:
Zhupa: “Nga gjetjet e KLSH, del që një nga anëtarët e komisionit, në pozicionin e vetë si drejtoreshë e Fondit të sigurimit të detyrueshëm të kontrollit shëndetësor, ka nënshkruar kontratë koncensionare me Sani Service, për koncesionin e sterilizimit.
Për aq kohë sa ne do të marrim në pyetje anëtarët e KLSH që kanë audituar dhe u del emri edhe në raport dhe një nga anëtaret e komisionit, a do të duhet të qëndrojë anëtarja e komisionit dhe të marrë në pyetje ata që e kanë audituar kur ka qenë drejtoreshë e fondet? A ka një konflikt interesi këtu? A duhet ta lejojmë dhe anëtarja e ndjehet komode të qëndrojë dhe merr në pyetje ata që dikur e kanë audituar. Nëse do të qëndrojë të merret një vendim dhe për çështje kuorumi, në mënyrë që gjetjet dhe pyetjet që do të bëjmë të mos kenë problematike për shkak të kësaj rrethane.
PD e ka ngritur më përpara dhe nga diskutimet që bëmë këtu do të ngrihej ideja e konfliktit të interesit, dhe ky është rasti, Milva Ekonomi.
Ndreca: “Ngatërroni konfliktin e interesit me paanshmërinë. Zonja Ekonomi ka ushtruar një detyrë publike, pra nuk ka konflikt me interesat private të asnjërit prej zyrtarëve. Nëse flasim për paanshmëri, ne nuk jemi magjistratë dhe komisioni nuk është një gjykatë klasike”.
Korreshi: “Ky komision ka nisur sepse dyshojmë se i keni rruajtur lekët. Sa i përket paanshmërinë nuk mund ta paragjykosh ti. Jemi trupë gjykues këtu. Deri dje thonit jemi bashkëkryetar. Nuk kemi ardhur këtu për të hetuar njerëzit“.