Gjatë punimeve të seancës plenare, deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka kërkuar fjalën për një çështje procedurale, por vëmendja e tij është përqendruar te kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.
Ndërkohë që mikrofoni i tij ishte i ndezur, Korreshi përpiqej të tërhiqte vëmendjen e Peleshit, i cili në ato momente shkëmbente informacione me një punonjës të administratës së Kuvendit. Pikërisht kjo situatë shkaktoi një shkëmbim të ashpër fjalësh mes tyre.
Të lidhura
None found
Korreshi e nisi me ironi duke e thirrur: “Alooo, shoku kryetar, a po dëgjon?” Peleshi nuk ngurroi t’i përgjigjej menjëherë: “Atë shokun kryetar shko takoje atje ku i ke miqtë e tu”. Deputeti demokrat replikoi: “Mirë, por përqendrohu këtu se po diskutojmë pikërisht për ty dhe procedurën”.
Peleshi vijoi duke i kujtuar se “Kjo nuk është ngjarje folklorike, por seancë plenare”, ndërsa Korreshi shtoi me ironi: “Ku ishe ti? Mos kishe rënë në gjumë? Për ty e kemi fjalën”. I acaruar, Peleshi ia ktheu: “Mos më drejto me ‘ty’ sepse unë nuk përdor atë formë me ju”. Korreshi e ndryshoi menjëherë tonin duke iu drejtuar me formalitet të sforcuar: “I nderuar dhe shumë i respektuar shoku kryetar, po ju drejtohem me ‘ju’ siç kërkoni”.
Më pas, deputeti i opozitës sulmoi mënyrën e menaxhimit të punëve në Kuvend dhe çështjet që lidhen me integrimin europian. Ai ngriti shqetësime për oraret e gjata të komisioneve dhe për fondet IPARD, duke i konsideruar premtime boshe që përsëriten çdo dy muaj. Korreshi përmendi gjithashtu moskalimin e 35 amendamenteve të opozitës dhe shprehu rezerva për vizitën e Marta Kos, duke thënë se ajo nuk duhet të flasë kundër raportit të Parlamentit Europian.
Në përgjigje të tij, Peleshi theksoi se ka disa gjëra që nuk mund të shpjegohen me gjuhën e tregut të fruta-perimeve. Sipas tij, një pjesë e qytetarëve që janë në shesh mund të ndikohen negativisht kur dëgjojnë deputetë që mendojnë se mandati u jep të drejtë të shajnë e të ofendojnë kë të duan, duke dhënë kështu shembullin më të keq për fëmijët me fjalorin e tyre.
