Debati mes kryekamarierit Gazment Kurmaku dhe klientit 33 vjeçar Erjon Llapshi, para se ky i fundit ta qëllonte me grusht në kokë duke e lënë në vdekje klinike, ka ndodhur në 1 minutë e 11 sekonda.
Në videon e siguruar nga ABC, shfaqen dy persona të ulur në një tavolinë prej 4 personash. Ky që shihni është Erjon Llapushi, përballë shoku i tij.
Pak sekonda pasi dy të rinjtë janë ulur në tavolinë, në lokalin e një kompleksi në Labinot, në dalje të Elbasanit, u shkon kryekamarieri, Gazment Kurmaku. Ky i fundit u kërkon të lëvizin nga kjo tavolinë, pasi është e rezervuar për 4 persona. Ai u thotë të dalin në një tjetër ambient ku mund të qëndronin vetëm 2 persona.
Por kjo gjë duket se nuk i ka pëlqyer 33 vjeçarit. Pas 27 sekondash, Erjon Llapushi çohet dhe i vendos dorën në qafë kryekamarierit dhe pas sekonda më vonë merr nga tavolina thikën. Ai refuzon të lëvizë prej tavolinës.
Në këtë moment, kryekamarieri Gazment Kurmaku largohet por debati ka vijuar me ofendime në distancë.
Pikërisht në këtë moment, Erjon Llapushi nga Pogradeci çohet nga tavolina dhe e qëllon atë me grusht në kokë.
50 vjeçari ra duke përplasur kokën me një pjesë betoni duke përfunduar në gjendje kome.
Ngjarja ka ndodhur në 2 tetor në sy të klientëve që ndodheshin në tavolinat e tjera.
Fillimisht Kurmakut iu dha ndihma e parë në Spitalin e Elbasanit. Më pas u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë. Për 5 ditë ai qëndroi në vdekje klinike dhe më datë 7 ndërroi jetë.
Erjon Llapushi vijon të jetë në kërkim nga policia. Gjykata e Elbasanit ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” në mungesë për vrasjen e 50 vjeçarit.
Në kërkim është shpallur edhe shoku i tij, me akuzën e përkrahjes së autorit të krimit.
Burimet pranë grupit hetimor pohojnë për ABC se kamera në pjesën e jashtme të resortit ka fiksuar momentin kur dy të rinjtë largohen prej andej menjëherë pas ngjarjes.
Erjon Llapushi hipën në pjesën e pasme të mjetit që e drejtonte shoku i tij.
33 vjeçari është një emër i njohur për autoritetet shqiptare. Ai ka qenë i arrestuar për vepra të ndryshme penale, si tentativë vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe trafik emigrantësh të paligjshëm.
Llapushi është dënuar nga ish Gjykata e Krimeve të Rënda me 2 vite burg për “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim, dënim të cilin e kishte shlyer. /abcnews.al/