E quajnë lakra e kuqe, por në të vërtetë ngjyra e saj është një vjollcë e thellë e ndezur, shija e së cilës të befason qiellzën. Lakra e kuqe është pjesë e tryezës sonë, jo vetëm për dekorim. Nëse mendoni që lakra e kuqe me lakrën e bardhë ndryshojnë vetëm nga ngjyra gaboheni rëndë.
Lakra e kuqe është nga ato perime që është e shijshme kur hahet e gjallë ose e gatuar. Lakrën e kuqe mund ta hamë në sallata, mund ta gatuajmë më avull apo ta përziejmë në një pjatë me perime të tjera. Fibra që gjendet tek lakra e kuqe njihet për punën e shkëlqyer në parandalimin e konstipacionit dhe rregullimin e sistemit tretës.
Më poshtë do gjeni listën e përfitimeve fantastike që merrni nga lakra e kuqe.
Lakra e kuqe apo lakra e bardhë?
Të dyja lakrat janë të mira për shëndetin e njeriut, por lakra e kuqe është më e fuqishme në aspektin shëndetësor. Lakra e kuqe përmban 85% të dozës ditore të vitaminës C, ndërsa lakra e bardhë ka vetëm 47 përqind, madje lakra e kuqe ka më shumë Vitaminë C se sa portokallet.
Për më tepër, lakra e kuqe është nga ato të pakta perime me nivelin më të ulët të mbetjeve të pesticideve në lëkurën e saj si pasojë e shtresëzimit të fortë të konstruktit të saj.
Lakra e kuqe ka 10 herë më shumë vitaminë A se lakra e bardhë. Kjo e fundit ka dy herë më shumë vitaminë K se sa lakra e kuqe. Kur vjen puna tek hekuri, lakra e kuqe ka dyfishin në krahasim me lakrën e bardhë. Sa i përket antioksidantëve, lakra e kuqe është triumfatore dhe superiore.