Një analizë e publikuar nga mediumi gjerman “Cicero”, shqyrton vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke u përqendruar veçanërisht te dënimi me 25 vjet burgim i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Shkrimi, i botuar më 20 shtator dhe me autor Alexander Rhotert, thekson se të akuzuarit nuk u shpallën fajtorë për krime kundër njerëzimit. Sipas autorit, në këto rrethana kuptohet kritika e shprehur në Kosovë për ashpërsinë e dënimeve.
Të lidhura
None found
Për të vlerësuar masën e dënimit, analiza e krahason çështjen me procese të tjera të trajtuara nga tribunalet ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.
Në këtë kuadër përmenden Biljana Plavšić, e cila u dënua me 11 vjet burgim, Vojislav Šešelj me 10 vjet, Jovica Stanišić me 15 vjet dhe ish-gjenerali i policisë serbe Vlastimir Đorđević, i cili mori 18 vjet burg.
Sa i përket rastit të Đorđevićit, “Cicero” nënvizon se vendimi ndaj tij lidhej me krime të kryera kundër civilëve shqiptarë në Kosovë.
Duke i vendosur këto raste përballë njëri-tjetrit, autori argumenton se burgimi 25-vjeçar i Thaçit duket dukshëm më i rëndë krahasuar me disa prej dënimeve të dhëna për krime të rënda gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Analiza pranon se krahasimi mes Thaçit dhe Đorđevićit duhet parë me kujdes, pasi bëhet fjalë për dy gjykata të ndryshme dhe për çështje që kanë rrethana juridike të ndryshme. Megjithatë, sipas saj, kjo përballje ngre pikëpyetje mbi proporcionalitetin e dënimit.
Një tjetër aspekt i aktgjykimit i evidentuar nga “Cicero” është se Gjykata nuk konstatoi që të dënuarit kishin pasur synim dëbimin ose vrasjen në masë të personave jo-shqiptarë. Po ashtu, akuza nuk arriti të dëshmonte ekzistencën e një qëllimi të tillë.
Në përfundim, mediumi gjerman e sheh vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së si pjesë të debatit më të gjerë për proporcionalitetin e dënimeve dhe për trajtimin juridik të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi.
Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, ndërsa krahasimet me dënimet e dhëna nga tribunalet ndërkombëtare për ish-zyrtarë serbë dhe boshnjakë janë bërë pjesë e diskutimit publik mbi drejtësinë e procesit dhe masën e ndëshkimeve.
