Ditën e djeshme, për gati 12 orë në GJKKO, është zhvilluar seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për kryebashkiakun Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, disa biznesmenë, mes tyre dhe Elman Abulen.
Në përfundim, Gjykata vendosi lënien në fuqi të masave, me ndryshim të vetëm njërës prej tyre, masën e sigurisë të Ajola Xoxës, e cila nga arrest shtëpie kaloi në detyrim paraqitje dhe pengimin e së drejtës për të dalë jashtë shtetit, duke i marrë edhe pasaportën.
DETAJET
Dje në mesditë në media u shpërnda një tekst i cili është ky i mëposhtmi, ku pretendohet se Erion Veliaj i qe drejtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë prokurorit Olsi Dado, i cili së bashku me prokurorin tjetër, Altin Dumani, drejtues i SPAK-ut, janë personat që kanë hetuar Erion Veliajn, pasurinë e tij, bashkëshorten, lidhjet që shkojnë me tentakula të pafundme me biznese, OJF, etj.
“Ti je në konflikt interesi, e ke personale me mua. Më je paraqitur dy herë për leje ndërtimi, ke marrë leje ndërtimi nga ana ime. Pasi ke mbetur i pakënaqur më ke thënë “do ta mbash mend”. Ke dy rrugë, ose rë largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu”, i është drejtuar Veliaj-prokurorit Olsi Dado.
Sipas procesverbalit të siguruar të seancës së djeshme, pas akuzës së hedhur nga Erion Veliaj, prokurori Olsi Dado i është përgjigjur flakë për flakë.
“Po, është e vërtetë që në Bashkinë e Tiranës një ndërtues, zhvillues ka marrë leje për të ndërtuar, zhvilluar një pronë të nënës sime të viteve 1920 në kryeqytet dhe për këtë unë ty të kam falënderuar”.
Kjo është fjala që i ka thënë Olsi Dado. Ai ka pranuar që i ka çuar një SMS falenderuese Erion Veliajt.
Pra, nuk ka qenë në një konflikt interesi, duke i kërkuar kate shtesë apo gënjeshtrën e Erionit se kishte pasur pakënaqësi.
Përkundrazi, ka qenë krejt e kundërta. Erion Veliaj i është përgjigjur se ishin në kushte të pabarabarta.
Prokurori Olsi Dado, ka kërkuar të lexojë SMS duke thënë: “Ti ndoshta nuk e ke, por unë e kam këtu telefonin dhe SMS falënderuese që të kam çuar ty për atë leje që ti ke dhënë”.
Më pas në seancë ka pllakosur heshtja dhe Erion Veliaj, i cili gjatë gjithë kohës kërcente nga belaja, ka mbyllur gojën dhe nuk ka pasur më tej asnjë reagim. Më dinjitoz ka qenë qëndrimi i Ajola Xoxës, e cila në fakt edhe gjatë seancave që është marrë në pyetje në SPAK, ndryshe nga Erion Veliaj, i cili është një mashtrues, një gënjeshtar i sëmurë, Ajola Xoxa, ka qenë shumë herë më dinjitoze, duke pranuar në heshtje faktet dhe provat e siguruara nga prokurorët e SPAK-ut, Olsi Dado dhe Altin Dumani./Oranews