Teksa lufta në Ukrainë po vijon që prej 24 shkurtit të këtij viti, në muajt e fundit, shëndeti i presidentit rus, Vladimir Putin, ka qenë subjekt i shumë spekulimeve.
Kjo duke filluar që nga pretendimet se ai vuante nga kanceri, Parkinson, apo se i mbijetoi një atentati.
Por deri më tani, asnjë shënim nga një mjek nuk është publikuar.
“Ai mund të qëndrojë në pushtet për 10 vjet ose më shumë nëse dëshiron, kjo varet vërtet nga rrethanat”, tha analistja politike Tatiana Stanovaya për mediumin “Al Jazeera”.
Nëse, 69-vjeçari vdes ose largohet papritur nga detyra, Këshilli i Federatës ka 14 ditë për të shpallur zgjedhjet presidenciale, dhe nëse nuk i bën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta bëjë këtë.
Ndërkohë, kryeministri Mikhail Mishustin do të bëhej president në detyrë.
Megjithatë, Mishustin nuk shihet si i afërt me Putin-in dhe as një kandidat i besueshëm për ndonjë zgjedhje, raporton Al Jazera.
Në vend të kësaj, Stanovaya beson se largimi i Putin-it do të lërë një vakum pushteti midis interesave të biznesit, zyrtarëve të sigurisë si ministri i Mbrojtjes, Sergey Shoigu dhe fraksioneve të tjera të elitës.
“Nëse nesër i ndodh diçka, besoj se sistemi do të mbijetonte. Është ende i fortë”, tha Stanovaya.
Sipas raporteve në mediat e pavarura ruse, anëtarët e elitës ruse u befasuan dhe u ndjenë në ankth kur Putin-i njoftoi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, duke e shpallur “operacionin ushtarak special” një hap të domosdoshëm.
Megjithatë, refuzimi i Putin-it për të pranuar një lidhje midis vështirësive ekonomike dhe sanksioneve thuhet se po i largon zyrtarët e prirur ndaj biznesit, ndërsa të tjerët e kritikojnë atë se nuk e ka bërë luftën në mënyrë aktive.
Sipas disa raporteve, disa të brendshëm të Kremlinit po diskutojnë në heshtje se kush mund të vijë pas Putin-it.
Por, Stanovaya tha se një bisedë e tillë nuk është serioze.
“Në fakt askush nuk e di kush do të jetë i radhës” shpjegoi ajo duke shtuar se “nëse dikush, për shembull, fillon të shkruajë se Medvedev është pasardhësi, mund të shihet si një sulm politik ndaj Medvedev-it, sepse askush nuk dëshiron të shfaqet si pasardhës, sepse e bën pozicionin më të cenueshëm”.
Eksperti i sigurisë, Mark Galeotti, i tha “Al Jazeera-s” se është sinqerisht e vështirë të shohësh Putin-in të largohet së shpejti.
Me gjithë tregimet e sëmundjes, nuk ka asnjë provë që ai është i sëmurë rëndë.
Nuk ka pasardhës të dukshëm – nuk do të ishte e mençur të dukej sikur po bën audicion për një pozicion që nuk është vakant.
Putin ka qenë në krye të Rusisë për më shumë se 20 vjet, duke udhëhequr vendin nga 2000 në 2008, dhe përsëri nga 2012 deri më sot.
Në këtë mes, Dmitry Medvedev mbajti presidencën, megjithëse Putin-i, si kryeministër, besohej gjerësisht se mbante pushtetin e vërtetë edhe në atë periudhë.
Nëse përfshin kohën e Medvedevit në detyrë, Putin-i sundoi Rusinë më gjatë, duke mposhtur kohën e Jozef Stalinit në pushtet.
Mandati i tij aktual do të përfundojë në vitin 2024.
Megjithatë në vitin 2020, Kushtetuta ndryshoi, duke e lejuar atë të kandidojë për dy mandate të tjera gjashtëvjeçare deri në vitin 2036 – kur ai do të ishte 86 vjeç.
Sipas Stanovaya-s, nëse ekonomia vazhdon të dështojë dhe pakënaqësia publike rritet, një fraksion tjetër mund të përpiqet të marrë frenat.
Por, gazetarja Farida Rustamova-s, e cila mbulon politikën ruse dhe intrigat e Kremlin-it, paralajmëron kundër parashikimeve.
“Në rastin e vdekjes së presidentit, detyrat i takojnë kryeministrit. A do të arrijë Mishustin të mbajë pushtetin? Nuk kemi si ta tregojmë”, tha ajo.
“Është shumë e vështirë të bësh parashikime për vendet autoritare, sepse ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Nuk ka forca politike alternative në Rusi për të cilat mund të flasim ose çfarë do të bëjë një ose një fraksion tjetër”.
Ajo shtoi se ata që kundërshtojnë Putin-in mund “vetëm të fantazojnë”.
Opozita aktuale në Rusi nuk ka gjasa të fitojë asnjë zgjedhje, pasi qeveria ka hequr dorë nga çdo alternativë gjatë 20 viteve të fundit.
Jashtë Partisë “Rusia e Bashkuar” e Putin-it, blloku i dytë më i fortë janë komunistët, lideri i të cilëve Genadi Zyuganov konsiderohet si “opozitë sistematike” për të ofruar iluzionin e një demokracie pluraliste.
Figura më e famshme e opozitës, të paktën jashtë Rusisë, është Alexey Navalny, i cili u dënua me nëntë vjet për përvetësim në mars.
Por edhe sikur të kishte qenë i lirë, popullariteti i tij aktual mes rusëve është modest.
Yevgeny Roizman, një tjetër figurë e dukshme opozitare që dikur ishte kryebashkiaku popullor i Yekaterinburgut, u arrestua së fundmi me akuzën e diskreditimit të forcave të armatosura, e cila dënohet me tre vjet burgim.
Ndoshta një e dhënë për të ardhmen e Rusisë mund të jetë në Uzbekistan, një tjetër ish-republikë sovjetike që u drejtua nga ish-zyrtari sovjetik, Islam Karimov, nga pavarësia në 1991, deri në vdekjen e tij në 2016.
Gjatë asaj kohe, Karimov zgjati kohën e tij në pushtet përmes zgjedhjeve, referendumeve dhe reformave kushtetuese të konsideruara nga shumë si të manipuluara.
Familja e tij u pasurua dhe protestat u shtypën.
Pas vdekjes së tij, media dhe ekonomia gëzonin më shumë liri dhe dhjetëra të burgosur politikë u liruan gjatë një periudhe reformash, por përndryshe shumë prej të njëjtëve zyrtarë mbeten në pushtet dhe struktura e qeverisë mbetet e pandryshuar.
Megjithatë, ekspertët thonë se ka shpresë për një Rusi më paqësore, edhe nëse shanset për një demokraci më të madhe janë të pakta.
“Nuk ka gjasa që të jetë dikush më i ashpër pas Putin-it, por as nuk duhet të presim një liberal”, tha Galeotti.
Më e mira për të cilën mund të shpresojmë është një kleptokrat pragmatik, i cili vlerëson se lufta është e keqe për biznesin dhe kështu do të kishte arsye shumë personale për të zvogëluar konfrontimin aktual.
Aktualisht, burra si kryeministri, Mikhail Mishustin ose kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin mund të përshtaten me atë formë, por kjo nuk do të thotë se ata domosdoshmërisht kanë gjasa të ngrihen në pushtet.
Vitin e kaluar, Putin u tha rusëve se “do të vijë një kohë kur, shpresoj, mund të them se një person i tillë është i denjë për mendimin tim për të udhëhequr një vend kaq të mrekullueshëm si Rusia, atdheu ynë”.
Me sa duket, ajo kohë nuk ka ardhur ende.