CEO i BioNTech: 3 dozat e vaksinës nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar Omicron

CEO i BioNTech ka deklaruar se vaksinat anti-covid nuk do të jenë të mjaftueshme për të luftuar variantin e ri Omicron.

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se edhe personat që kanë marrë të tre dozat ka të ngjarë të transmetojnë virusin. Është e qartë se jemi larg efektivitetit prej 95 për qind kundër virusit fillestar”, tha Ugur Sahin për të përditshmen franceze Le Monde në një intervistë.

Pavarësisht kësaj, Sahin tha se të dhënat e hershme nga Britania dhe Afrika e Jugut janë pozitive. Hulumtimi i fundit nga Afrika e Jugut, ku u raportua për herë të parë Omicron, sugjeroi se dy doza të vaksinës Pfizer/BioNTech janë 70 për qind efektive në reduktimin e rrezikut të shtrimit në spital.

“Për shkak të Omicron do të ketë një humbje të efektivitetit me kalimin e kohës. Dhe këto të parashikime nuk do të bazohen në të dhëna paraprake laboratorike, por në të dhëna të jetës reale, gjë që është më e përshtatshme,” tha imunologu gjerman.

Sahin tha se testimi kundër COVID-19 është i rëndësishëm, veçanërisht për të moshuarit dhe gjatë dimrit, siç janë masat e tjera mbrojtëse si maskat.

Kompania gjermane tashmë është duke projektuar një vaksinë kundër koronavirusit për të luftuar variantin e ri, duke përdorur proteinën spike të Omicron dhe 32 mutacionet e tij si një antigjen. Shahin njoftoi se vaksina pritet të jetë gati në mars, raporton abcneës.al

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Omicron është zbuluar në 89 vende dhe po përhapet me shpejtësi edhe në vendet me nivele të larta vaksinimi. Ndërkohë, Moderna, e cila ka prodhuar gjithashtu një vaksinë mRNA, tha të hënën se një dozë përforcuese e vaksinës së saj mbronte kundër Omicron.

Sipas Moderna-s një dozë prej 50 mikrogramësh, e cila është sasia aktuale për një vaksinë përforcuese, rriti nivelin e antitrupave 37 herë më shumë në krahasim me dy doza./albeu.com/


Shtuar 20.12.2021 15:03