Celulari është tradhtari më i madh/ Denar Biba kërkon që Autoriteti i Konkurrencës të sekuestrojë telefonat: Vetëm kështu mund të bësh një punë hetimore…

Kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, teksa ka raportuar në Komisionin e Ekonomisë, ka folur për kufizimet që institucioni që ai drejton ka në hetime.

Ai shpjegoi se në vendet e BE-së dhe jo vetëm, si Polonia, Turqia, Italia apo Gjermania, autoritetet ligjzbatuese mund të hyjnë në celularë për sekonda dhe të nxjerrin informacion, duke respektuar hierarkinë e shtetit ligjor mbi privatësinë personale.

Biba mori shembullin e Prokurorisë së Posaçme, e cila sekuestron celularët, pasi sipas tij vetëm kështu mund të bëhet një punë hetimore.

“Nuk arritëm të evidentonim marrëveshje të fshehtë mes tyre. I hymë në kompjutera, iu shkuam nëpër zyra. Kaq janë mundësitë tonë. Kur e kam thënë që homologët tanë ju marrin celularët, ka pasur humor, doni të bëheni SPAK numër dy etj. Ky (celulari) është tradhtari më i madh për çdo lloj gjëje. Nëse do realisht të bësh punë skrupuloze hetimore, kjo është. Edhe ata zotërinjtë e SPAK-ut apo të prokurorisë në Shqipëri shumicën e sukseseve të tyre i kanë pasur nga Sky, nga EncroChat. Ne nuk e kemi këtë mundësi. Polakët e kanë, turqit e kanë, italianët, gjermanët, të gjitha vendet e BE-së i kanë, për tre sekonda, të marrin të ulin në respekt edhe të privatësisë, ta hapin celularin me laptopin e tyre dhe të thonë, këtë file-n e ke privat apo jo. Punonjësi i autoritetit i shikon të gjitha fotot. Kështu funksionon. Jetojmë në një botë ku privatësia nuk është aq e rëndësishme para shtetit të së drejtës dhe rendit”, tha Biba.


Shtuar 24.10.2025 11:45