Cas Mudde: Çdo njeri duhet të shqetësohet nga rikthimi i mundshëm i Trump në krye të SHBA-së

Nga Elena G. Sevillano “El Pais

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Politologu u njohur holandez Cas Mudde, 56 vjeç, ka shpenzuar dekada duke studiuar ngritjen e së djathtës ekstreme. Dhe ai nuk është optimist për të ardhmen. Sepse lëvizjet që po kërcënojnë demokracitë liberale janë në rritje, dhe retorika e tyre populiste po depërton pa e kuptuar në debatin e përgjithshëm. Mudde jeton në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2008, ku është profesor në Universitetin e Xhorxhias.

Ju thoni se brenda 3 dekadave të fundit, shoqëritë perëndimore kanë kaluar nga përjashtimi i diskursit radikal në normalizimin e tij. Si ndodhi kjo?

Deri në fundin e viteve 1990, kishte ende një tabu të madhe rreth ksenofobisë dhe nacionalizmit. Më pas ndodhën sulmet terroriste të 11 Shtatorit në SHBA, dhe përgjigja ishte islamofobia dhe paragjykimi. Pasi u futëm në atë diskurs, vetëm një parti kishte një diskurs negativ mbi emigracionin, dhe ajo ishte e djathta ekstreme.

Partitë e tjera e miratuan këtë qasje dhe filluan të flasin për emigracionin si një problem, një kërcënim për identitetin kombëtar dhe sigurinë kombëtare. Dhe kur adopton një qasje tjetër, del nga pozicionet e tua. Pasi ndodh kjo, ndryshimi midis jush dhe ekstremit të djathtë bëhet më i vogël, ndaj ka më pak arsye për t’i përjashtuar këta të fundit.

Si e përkufizoni ideologjinë e tyre?

Thelbi nuk është socio-ekonomik por socio-kulturor dhe bazohet tek nativizmi, një formë ksenofobike e nacionalizmit. Në një qasje të tillë, ju dëshironi që shteti juaj të banohet ekskluzivisht ose kryesisht nga qytetarët etnikë, ndërsa e cilësoni një kërcënim çdo kombësi tjetër.

Kjo kombinohet me autoritarizmin dhe këndvështrimin e tyre për pikëpamjen e rendit dhe ligjit, por në shumë raste edhe me populizmin. Në këtë mënyrë kemi atë që e quajmë shovinizëm të mirëqenies. Ata e mbështesin shtetin social, por vetëm për popullin e tyre.

Ju thoni se toleranca dhe gjithë-përfshirja po përparojnë në shumicën e vendeve, veçanërisht tek të rinjtë. Atëherë si mund të shpjegohet vala reaksionare?

Kush voton në zgjedhje? Kryesisht të moshuarit. Ata nuk janë domosdoshmërisht më ksenofobikë, por për ta emigracioni është bërë problem dhe është një çështje identiteti.

Dhe cili është roli i partive konservatore në këtë kontekst?

Vitet e fundit kemi parë një radikalizim të rrymës kryesore, dhe veçanërisht të së djathtës tradicionale kryesore. Për shembull Partia Popullore (PP) në Spanjë, është shumë më e djathtë sot, sidomos për çështjet sociale dhe kulturore, sesa ishte 30 vjet më parë. Në Francë, Partia Republikane ka ta njëjtat qëndrime si Tubimi Kombëtar i të djathtës ekstreme.

Ka disa përjashtime, si CDU-ja në Gjermani. Qendra po lëviz djathtas për përfitime elektorale. Në fund, ata do të jenë të padallueshëm nga e djathta ekstreme. Dhe siç tha në vitet 1980 politikani francez i ekstremit të djathtë, Jean-Marie Le Pen, në vend të kopjes njerëzit do të zgjedhin origjinalin.

A është e rrezikshme partia spanjolle Vox?

Shumë. Vox është një parti radikale e krahut të djathtë, ashtu si Tubimi Kombëtar në Francë apo AfD në Gjermani. Fakti që ata dolën nga rryma tradicionale (anëtarët kryesorë i përkisnin PP-së), që janë politikanë profesionistë dhe më të butë se disa nga partitë e tjera radikale të së djathtës nuk do të thotë asgjë. Ideologjikisht ajo mbështetet tek nativizmi, autoritarizmi dhe populizmi.

Ekziston rreziku, sepse Vox është në thelb parti anti-liberale, ka probleme me të drejtat e pakicave, ndarjen e pushteteve dhe shtetin e së drejtës, si të gjitha partitë radikale të së djathtës. Dhe janë veçanërisht të rrezikshëm sepse janë kompetentë. Vox dëshiron të punojë brenda sistemit dhe ndoshta do të ketë një aleat si PP.

Në çfarë mënyre?

Vox është si udhëheqësja e ekstremit të djathtë Giorgia Meloni në Itali dhe në një farë mase si Viktor Orbán në Hungari. Këta janë njerëz që duan ta ndryshojnë sistemin nga brenda. Dhe e dinë si ta bëjnë këtë.

Çfarë përgjegjësie ka media në këtë situatë?

Media shihet shpesh si pjesë e arenës demokratike, por kjo nuk është e vërtetë. Një media është një biznes dhe duhet të shesë. Shumë gazetarë janë shumë të shqetësuar për ngritjen e të djathtës ekstreme. Por ata punojnë në një institucion për të cilin e djathta ekstreme është një bonus. E djathta ekstreme shet, skandalet shesin.

Kjo gjë u pa edhe me Trump, apo jo?

Por ai është një shembull tipik. Shikueshmëria e CNN, dhe abonimet në The New York Times dhe The Washington Post arritën kulmin. Liberalëve u pëlqen të kenë frikë nga e djathta ekstreme.

Ata do të konsumojnë çdo histori, edhe nëse ajo është e sajuar për një populist ndërkombëtar. Këto janë historitë më të lexuara. Unë e quaj këtë dukuri “pornografia e ekstremit të djathtë”.

Evropa është e shqetësuar nga mundësia e një presidence tjetër të Donald Trump…

Çdokush duhet të shqetësohet nga rikthimi i Trump në pushtet. Ai është një njeri i paparashikueshëm, dhe do të ishte personi më i plotfuqishëm në botë si president dhe udhëheqës i ushtrisë më të madhe. Rivali i tij Ron DeSantis, është identik në aspektin ideologjik. Ai është po aq nativist, po aq autoritar dhe antidemokratik sa Trump, dhe që të dy janë në thelb udhëheqës anti-demokratë.

Edhe në Evropë kemi udhëheqës jodemokratikë. Si po sillet ndaj tyre Bashkimi Evropian?

Për një kohë të gjatë, mësimi për këtë erdhi nga Hungaria:nëse je një udhëheqës autoritar brenda vendit, por je besnik ndaj Brukselit, BE-ja do ta lejojë këtë gjë. Tani kemi një leksion të ri nga Polonia:nëse je një lider autoritar në shtëpi, por je në përputhje me polikikën e NATO, atëherë je në rregull. Për momentin, Orbán është vërtet i mënjanuar, por kjo jo për shkak të demokracisë liberale por të pozicionit të tij pro Putinit. Leksioni kryesor është se nëse je shumë anti-Putin, ata në Bruksel do të të lënë të qetë. /albeu.com

 


Shtuar 10.06.2023 11:49