Ditën e tretë të seancës plenare për buxhetin e vitit të ardhshëm deputetët e shfrytëzuan për akuza të ndërsjella lidhur me atë se cila Qeveri ka punuar më mirë për qytetarët, shkruan Alsat.
Për deputetët e VMRO DPMNE-së përmes buxhetit të parashikuar për vitin 2022 shihet se qëllimi i Qeverisë është që të shpenzojë më shumë para për shpenzime joproduktive sesa për investime kapitale.
“Planifikoni buxhet gjigant prej 4.4 miliardë euro në një kohë kur ne në vend kemi nevojë për ndryshim të modelit ekonomik. Vetë buxheti është reflektim i faktit që ju keni model në të cilin vendosni shpenzimet publike përpara investimeve publike. Qeveria e LSDM-së po i rrit shpenzimet publike gjatë gjithë kohës përmes huamarrjes dhe kjo është e dukshme nëse shikoni anën e të hyrave”, tha Mile Lefkov, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Për deputetët e qeverisë, shteti duhej të merrte borxh për të shlyer borxhet e vjetra nga qeverisja e mëparshme e VMRO DPMNE-së.
“E theksuat huamarrjen dhe se shteti po merr hua dhe ky është fakt, por le të bëjmë një krahasim për çfarë dhe si. 500 milionë me kamatë prej 3.9 për qind ka marrë partia juaj përmes një eurobondi për galeritë, barokin, stiropor dhe shelgje. Në vitin 2020 morëm hua me eurobond prej 700 milionë eurosh për të shlyer një pjesë të borxhit me interes 1.62 dhe kjo tregon se ky vend jo vetëm që bën riprogram të atij borxh, por kurseu 11 milionë euro që do të investohen për një të nesërme më të mirë për secilin qytetar”, deklaroi Darko Kaevski – deputet i LSDM-së.
Për buxhetin e vitit të ardhshëm deputetët do të diskutojnë edhe dy ditë në seancë plenare. Planifikohet të mblidhen 3.8 miliardë euro në thesarin e shtetit dhe të shpenzohen 4.4 miliardë euro. Boshllëku buxhetor duhet të arrijë në 4.3 për qind ose 545 milionë euro, ndërsa në anën tjetër plani i Qeverisë është realizimi i investimeve kapitale në vlerë prej 615 milionë euro. /Alsat.mk