Burri qëllon me armë zjarri bashkëshorten në Fier, e reja përfundon në spital

Një 28-vjeçare është qëlluar me armë zjarri nga bashkëshorti i saj në Fier. Nertila Furrxhiu ka mbetur e plagosur si pasojë e të shtënave.

Aktualisht e reja ndodhet në spital, ndërsa autori Robert Kotsi 49 vjeç është arrestuar nga policia.

Uniformat blu bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në banesën e çiftit në lagjen “Sheq i Madh”, ku pas një konflikti autori ka plagosur të shoqen me armë zjarri pistoletë dhe është larguar.

Por arratia nuk zgjati shumë, pasi ai u arrestua. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma me të cilën autori plagosi bashkëshorten e tij.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe në bashkëpunim me Prokurorinë vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë

Plagosi me armë zjarri bashkëshorten dhe u largua nga vendngjarja, falë reagimit në kohë të Policisë, kapet dhe vihet në pranga autori.

Pas njoftimit të marrë se në lagjen “Sheq i Madh” ka ndodhur një plagosje me armë zjarri, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe nga veprimet e para hetimore, rezultoi se shtetasi R. K., 49 vjeç, pas një konflikti me bashkëshorten e tij, shtetasen N. F., 28 vjeçe, e ka plagosur atë me armë zjarri pistoletë dhe është larguar.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit, kanë rrethuar zonën dhe falë veprimeve të shpejta operacionale, pas disa minutash, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të tij.

U sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma me të cilën shtetasi R. K. plagosi bashkëshorten e tij.

Shtetasja N. F. ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe në bashkëpunim me Prokurorinë vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

/albeu.com/