Bullgaria është mes atyre vendeve që nuk kanë pranuar të furnizojnë me armë Ukrainën e që nuk po e mbështesin në mënyrë aktive Kievin në aspektin diplomatik. Megjithatë, siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës, Tatiana Vorozhko, bullgarët po ndihmojnë refugjatët ukrainas.
Yevheniia Serheieva jetonte dikur në Buça, një qytet pranë Kievit. Vetëm 4 ditë përpara se të niste lufta ajo me bashkëshortin dhe vajzën 5-vjeçare udhëtuan për pushime në Budapest, të Hungarisë. Pak ditë më pas mësoi se forcat ruse i kishin bombarduar apartamentin ku ajo jetonte.
“Shëtitëm rreth Budapestit për katër ditë, pastaj jeta u duk sikur ndali. Vendosëm të qëndrojmë dhe punova si vullnetare në Budapest. Më pas u transferuam këtu, në Sofje për t’u bashkuar me disa miq tanët”, tregon ajo për Zërin e Amerikës.
Aktualisht zonja Serheieva punon si vullnetare për organizatën “Nënë Ukrainë” në Sofje. Olena Koceva, drejtuese e organizatës thotë se shumica e refugjatëve që kanë mbërritur në Bullgari janë nga rajonet e pushtuara të Ukrainës dhe nuk kanë asgjë me vete.
“Shumë njerëz vijnë nga Mariupoli, Melitopoli dhe Berdyansk. Njerëzit i largohen luftës mes një udhëtimi të mundimshëm e të gjatë”.
Në muajin mars, qeveria bullgare strehoi në hotele ukrainasit e zhvendosur përkohësisht, duke u ofruar qasje në shërbimin shëndetësor arsim e shërbime sociale.
Sociologu Ognyan Minchev thotë se pavarësisht nga disa ndjenja pro-ruse në Bullgari, shumica e njerëzve iu përgjigjën nevojave të refugjatëve ukrainas.
“Shumica e refugjatëve janë gra e fëmijë. Një njeri normal nuk mund të jesh armiqësor ndaj grave dhe fëmijëve.
Shumë bullgarë mbështesin financiarisht organizatën “Nënë Ukrainë”.
“U jam mirënjohëse bullgarëve. Njerëz të thjeshtë apo kompani na dhurojnë ushqime e para. Kemi dërguar tashmë mbi 50 tonë ndihma humanitare në Ukrainë, shumica e të cilave janë dhuruar nga bullgarët”, thotë Olena Koceva, drejtuese e Organizatës “Nënë Ukrainë”.
Por zonja Koceva thotë se volumi i ndihmës ka rënë gradualisht me kalimin e kohës.
“Ka më pak ndihma, njerëzit tashmë duket se janë lodhur nga lufta”, thotë Yevheniia Serheieva, refugjate ukrainase.
Në fund të shtatorit, 136 mijë ukrainas përfituan nga statusi për mbrojtje të përkohshme, dhe rreth 57 mijë prej tyre vazhdojnë të qëndrojnë në Bullgari, sipas të dhënave të agjencisë së OKB-së për refugjatët (UNHCR). Shumë prej tyre janë strehuar në hotele, si pjesë e një programi të financuar nga qeveria bullgare dhe Bashkimi Evropian që do të zgjasë deri në fund të tetorit./VOA