“Brothers” vë në pranga 19-vjeçarin e armatosur në Lezhë, nisin hetimet për vëllain e tij

Një 19-vjeçar i cili lëvizte i armatosur me pistoletë është arrestuar nga policia e Lezhës. Gjithashtu ka nisur hetimi për vëllain e të arrestuarit, i cili ishte pasagjer në mjet me mbante me vete sasi lënde narkotike kanabis.

Gjatë operacionit policor të koduar “Brothers” në afërsi të mbikalimit të Patokut, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe kanë ndaluar për kontroll, automjetin me drejtues shtetasin G. B., 19 vjeç, dhe pasagjer shtetasin G. B., 22 vjeç (vëllezër), të dy banues në Kurbin.

Gjatë kontrolleve fizike të ushtruara ndaj tyre, shërbimet e Policisë i gjetën 19-vjeçarit, në çantë, një armë zjarri pistoletë, ndërsa 22-vjeçarit, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis. Gjithashtu, gjatë kontrollit në automjetin me të cilin qarkullonin këta shtetas, u gjetën një peshore elektronike dhe mjete të tjera që dyshohet se përdoreshin për ndarjen e lëndës narkotike.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi G. B., 19 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. B., 22 vjeç. Gjithashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit pistoletë, sasia e lëndës narkotike kanabis dhe mjetet që i shërbenin ndarjes së lëndës narkotike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme./Albeu.com/

 


Shtuar 28.01.2023 09:07