Kanali televiziv shtetëror rus, Rusia Sot (RT) është hequr nga transmetimi në Mbretërinë e Bashkuar pas pushtimit të Ukrainës nga presidenti Vladimir Putin, tha ministrja e Kulturës, Nadine Dorries në parlament të enjten.
Rregullatori i transmetimit në Britani, Ofcom, nuk e ka hequr licencën e transmetuesit, ndryshe nga Bashkimi Evropian, i cili të mërkurën ndaloi mediat RT dhe Sputnik në bllokun 27 vendësh.
Putin “nuk duhet të lejohet të shfrytëzojë median tonë të hapur dhe të lirë për të përhapur propagandë helmuese në shtëpitë britanike,” tha Dorries.
“Isha shumë e lumtur kur pashë dje se kanali tani është zyrtarisht jashtë transmetimit në televizorët britanikë”, tha ajo.
Ministrja tha se kishte kontaktuar rrjetet sociale Meta dhe TikTok “duke u kërkuar atyre të bëjnë gjithçka që mund të bëjnë për të parandaluar qasjen në RT në Britani, siç kanë bërë në Evropë”.
Ofcom të mërkurën tha se kishte hapur 27 hetime mbi “paanshmërinë” e programeve të lajmeve të transmetuara në RT të financuar nga shteti.
Rregullatori së pari njoftoi hetimin e tij të hënën, duke thënë se kishte parë “një rritje të konsiderueshme” në numrin e shkeljeve të mundshme në programet e lajmeve të RT pas pushtimit rus të Ukrainës.
Kanalet televizive të kontrolluara nga Rusia janë vënë nën kritika ndërsa Perëndimi dhe aleatët e tij kërkojnë të godasin keqinformimin rreth sulmit të Moskës në Ukrainë./REL