Britania e Madhe do të përshpejtojë sanksionet kundër rusëve

Britania e Madhe do të mund të lëvizë më shpejt sa i përket sanksionimit të biznesmenëve rusë, si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës, tha kryeministri britanik Boris Johnson, duke shtuar se masat e reja ligjore do të dërgohen në parlament javën e ardhshme.

I pyetur nga korrespondentët e huaj në Londër se pse Roman Abramovich, biznesmeni rus i profilit më të lartë në Britani për shkak të pronësisë së tij të Klubit të Futbollit Chelsea, nuk ishte sanksionuar, Johnson tha se qeveria duhej të jetë e kujdesshme.

“Nuk ka kuptim të thuhet, po, ne do të marrim masa ndaj tij, dhe më pas të përballemi me avokatët e tij. Kështu që ne duhet ta kuptojmë siç duhet. Ne gjithashtu po përpiqemi të mos e bëjmë këtë vetëm për një individ”, tha Johnson.

Britania është kritikuar se nuk ka lëvizur aq shpejt me sanksionet kundër individëve siç ka bërë Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.

Johnson tha se amendamentet në legjislacionin britanik për krimet ekonomike që do të paraqiten në parlament të hënën do të ndihmojnë qeverinë të veprojë më me shumë shpejtësi.

Britania sanksionoi të enjten edhe dy rusë të tjerë – industrialistin Alisher Usmanov dhe ish-zëvendëskryeministrin Igor Shuvalov.

Abramovich tha të mërkurën se do të shesë klubin e futbollit Chelsea dhe premtoi se paratë nga shtija do t’i dhurojë për të ndihmuar viktimat e luftës në Ukrainë./REL


Shtuar 5.03.2022 15:05