Brenga e një nëne, varfëria e detyroi të ndahej nga 4 fëmijët… prej muajsh jeton vetëm (VIDEO)

Kjo grua po përballon një dhimbje të madhe që vetëm shpirti i saj mund ta dijë. I shoqi i vdiq në një aksident tragjik dhe skamja e madhe po e mbyt.

“Jeta ka qenë shumë e vështirë. U martuam, fillimisht i kishim shtëpitë, por na u prishën. Mezi i ndërtuam, burri me gjithë vëllezërit. Shtëpia u nda, na ra një dhomë. Në atë dhomë  kemi jetuar me të keq me vuajtje. Im shoq punonte për të mbajtur 5 frymë të tjera, për bukë, me borxhe. Atë zetor të uruar e bleu me borxhe për të mbajtur fëmijët, e në fund… ajo i mori jetën. Humbja e bashkëshortit qe një gjë shumë e madhe. Iku në mëngjes e mori dhe djalin me vete, të shikonte tokën. Djali e di si e ka përjetuar… vdekja e tim shoqi ishte shumë e rëndë, se i la fëmijët e nuk i gëzoi”, tregoi Elisabeta.

Mbase ka qenë vendimi më i vështirë i jetës së saj, por e gjendur në varfëri e skamje të madhe, kjo nënë i largoi 4 fëmijët nga fshati për një të ardhme më të mirë… vetë qëndroi pas, e vetme, në lot, në dhimbje.

“Familja u nda, u bë fije fije… rri në shtëpi me shpresën nëse do i shoh në fundjavë. Familja u nda në katër pjesë, janë të katërt fëmijët të ikur nga shtëpia. Jetoj me lot në sy. Nga pamundësia u bënë të tëra, jetesën nuk e përballojmë dot kështu. Jetoj me asistencë, 60 mijë lekë të vjetra. Punojmë tokën nga pak… fshati është i vështirë pasi është malor, çdo gjë bëhet me krah. Çezma për ujë është një orë vajtje ardhje. Edhe djali kur vjen më ndihmon, bëjmë ndonjë dru që të ngrohemi.”-rrëfeu Elisabeta.

Veçse një ëndërr ka kjo nënë e për të kërkoi ndihmën e shqiptarëve.

“Unë dua të kem fëmijët tok. Një banesë, sado e vogël, të mbledh fëmijët. I kërkoj shqiptarëve të më ndihmojnë, të kem mundësi të jem me fëmijët”, tha Elisabeta./abcnews.al