Zelensky thotë se Rusia e sulmoi Ukrainën me gati 1000 raketa e dronë këtë muaj

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të martën se Rusia i ka hedhur gati 1.000 raketa dhe dronë në drejtim të Ukrainës prej fillimit të këtij viti.

Disa rajone ukrainase lëshuan sirenat për të paralajmëruar rrezikun për sulme ajrore të martën, pak orë pasi tre civilë u vranë nga sulmet ajrore ruse.

“Rusia i ka shkrepur 330 raketa të llojeve të ndryshme dhe rreth 600 dronë luftarakë mbi qytetet ukrainase prej fillimit të këtij viti”, shkroi Zelensky në rrjetin social X.

“Për t’i bërë ballë një trysnie të tillë terroriste, nevojitet një mbrojtje tejet e fuqishme ajrore. Dhe pikërisht këtë mbrojtje ajrore po e ndërtojmë me partnerët tanë”, shtoi ai.

Një burrë u vra dhe bashkëshortja e tij u plagos në mëngjesin e së martës si pasojë e bombardimeve ruse në fshatin Veletenske në rajonin jugor të Ukrainës, Herson, njoftoi zyra e prokurorit rajonal.

Ndërkohë, guvernatori rajonal Oleksandr Prokudin tha se forcat ruse i shkrepën 272 predha në Herson.

Në rajonin lindor Donjeck u vra një civil dhe u plagos një tjetër nga bombardimet ruse mbi vendbanimet Mirnohrad , tha Vadim Filashin, guvernatori i rajonit të kontrolluar nga Ukraina të martën.

Po ashtu në Donjeck, në qytetin industrial Avdivka, forcat ruse e sulmuan një shtëpi private, duke e vrarë një grua 47-vjeçare, tha Filshakin në Telegram.

Forcat ruse janë duke u përpjekur ta kapin Avdivkën tash e disa javë në njërën prej betejave më të përgjakshme të luftës së nxitur nga pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Moska në shkurt 2022.

Bombardimet ruse në zonat civile e kanë shndërruar shumicën e Avdivkës në rrënoja.

Mëngjesin e së martës, Mbrojtja Ajrore e Ukrainës i ka rrëzuar 15 nga 35 dronë rusë, sipas ushtrisë ukrainase.


Shtuar 30.01.2024 22:24