Zelensky shkon në Turqi, takohet me Erdogan

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan priti të premten në mbrëmje homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Stamboll, në një takim kokë më kokë, raporton noa.al duke cituar zyrat e tyre presidenciale.

Zelenski shkoi në Stamboll në përpjekje që të bindë presidentin turk të pranojë futjen e Suedisë në NATO dhe që për këtë, t’i jepet drita jeshile pak para samitit të NATO-s në Vilnius.

Por Zelenski po kërkon mbështetje edhe për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, duke dëshiruar që kjo të ndodhë sa më shpejt. Në një rast të tillë, sipas rregullores së NATO-s, vendet e saj automatikisht do të viheshin në lëvizje për të ndërhyrë ushtarakisht në Ukrainë për ta çliruar atë nga pushtimi rus.

Erdogan ka premtuar se do të marrë “vendimin më të mirë të mundshëm” për aplikimin e anëtarësimit nga Stokholmi, pa u futur në detaje.

Pas bisedimeve kokë më kokë në Pallatin Vahdettin, Erdoğan dhe Zelenski po zhvillojnë takime bashkë me delegacionet për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, çështjet rajonale dhe ndërkombëtare, duke përfshirë zhvillimet më të fundit në luftën Rusi-Ukrainë, marrëveshjen e drithërave të Detit të Zi e cila skadon më 17 korrik, si dhe mbi paqen dhe stabilitetin në rajonin e Detit të Zi.


Shtuar 7.07.2023 22:19