Është vrarë një peng izraelit i rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor 2023
Ushtria izraelite ka informuar familjen e Uriel Baruch , trupi i të cilit mbetet në Gaza, por nuk specifikoi datën apo rrethanat e vdekjes së tij.
Uriel Baruch, 35 vjeç, baba i dy fëmijëve, u rrëmbye gjatë festivalit të muzikës Nova, ku 364 persona u masakruan më 7 tetor nga komandot e Hamasit.
“Uriel ishte një njeri i lumtur dhe i dashur nga të gjithë…ai do të mbahet mend për buzëqeshjen dhe dashurinë e tij për të afërmit e tij”, tha familja e tij në deklaratë.
Hamasi mori më shumë se 250 pengje në një sulm të paprecedentë në tokën izraelite. Gati 100 pengje u liruan në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë në Izrael gjatë një armëpushimi në fund të nëntorit. Sipas autoriteteve izraelite, 130 të rrëmbyer mbeten në Rripin e Gazës, nga të cilët 34 besohet të jenë të vdekur.
Sulmi i 7 tetorit la më shumë se 1,160 njerëz të vdekur, kryesisht civilë, sipas një raporti të AFP-së bazuar në shifrat zyrtare izraelite.
Si hakmarrje, Izraeli nisi një ofensivë që tashmë ka vrarë më shumë se 32,000 njerëz në Gaza, shumica prej tyre civilë, sipas ministrisë së shëndetësisë të Hamasit.