Gjykata e Selanikut ka dënuar me burgim të përjetshëm 7 nga 12 të akuzuarit për vrasjen mizore të 19-vjeçarit Alkis Kampanos dhe plagosjen e dy miqve të tij, gjatë sulmit të tifozëve që tronditi kombin Panhelen në shkurt 2022.
Pesë personat e tjerë janë dënuar me nga 15 vite burg, sipas medieve fqinje.
Pasi dëgjuan dënimet, miqtë dhe të afërmit e Alkisit shpëerthyen në duartrokitje dhe bërtisnin “vrasës, kalbuni në burg”.
Kujtojmë se në seancën e kaluar gjykata i shpalli fajtorë të dymbëdhjetë të pandehurit, shtatë autorë dhe pesë bashkëpunëtorë në vrasje.
4 të dënuarit me origjinë shqiptare janë Aleksandro Gega, Gerald Kambo, Roxhers Demirazi dhe Afskendos Çarçiu.
Për tre prej tyre Gjykata vendosi burgim të përjetshëm.
Në të njëjtën kohë, të pandehurve iu ndalua për 5 vite ndjekja e të gjitha ndeshjeve të PAOK-ut në të gjitha sportet. Apelimet gjithashtu nuk do të kenë fuqi pezulluese./Albeu.com.