VOA: 22 shtete në SHBA kanë popullsi mbi peshë

Tre shtete me popullsinë më të shëndoshë në Shtetet e Bashkuara janë Virxhinia Perëndimore, e cila renditet e para me 41 për qind , Luiziana me 40.1 për qind dhe Oklahoma 40 për qind, sipas të dhënave të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

“Të dhënat e fundit nga CDC duken shqetësuese”, thotë Jamie Bussel nga Fondacioni “Robert Wood Johnson”, një organizatë filantropike me bazë shëndetin publik. “Në 22 shtete niveli i obezitetit tek të rriturit është rreth ose mbi 35 për qind. Vitin e kaluar këtë nivel e kishin 19 shtete. Por nëse shohim të dhënat e një dekade më parë, asnjë shtet nuk kishte nivel obeziteti në shkallën 35 për qind, tek të rriturit. Është e qartë se shifrat tregojnë se nuk po ecim në drejtimin e duhur”.

Veç Virxhinias Perëndimore, Luizianës dhe Oklahomës, në 22 shtetet me popullsi obeze në ose mbi 35 përqind janë: Alabama, Arkansasi, Dalauer, Xhorxhia, Indiana, Ajova, Kansasi, Kentaki, Misisipi, Misuri, Nebraska, Dakota e Veriut, Ohajo, Karolina e Jugut, Dakota e Jugut, Tenesi, Teksasi, Virxhinia dhe Viskonsin.

Normat e obezitetit priren të jenë më të larta mes popullsisë afrikano-amerikane, hispanikëve, popullsisë indigjene dhe banorëve vendas të Alaskës.

Çdo shtet amerikan kishte një normë obeziteti prej të paktën 20 për qind. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e cilëson forcimin e mbështetjes për parandalimin dhe trajtimin e obezitetit “një përparësi urgjente”.

“Obeziteti është një sëmundje e shkaktuar nga shumë faktorë, përfshirë ushqyerjen, aktivitetin fizik, gjumin, gjenetikën dhe mjekime të caktuara”, thotë Karen Hacker, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare për Parandalimin e Sëmundjeve Kronike dhe Promovimin e Shëndetit në CDC.

Zonja Bussel vë në dukje nevojën për programe më të fuqishme federale për të ndihmuar familjet që jetojnë në varfëri.

“Në shkurt të vitit 2023, Departamenti i Bujqësisë propozoi rishikimin e vakteve ushqimore në shkolla që përfshinin kufizimin e sheqerit dhe kripës së përpunuar. Mendojmë se këto ndryshime janë tejet të rëndësishme sepse mund të përmirësojnë shëndetin e nxënësve dhe cilësinë e dietës”, thotë ajo.

Sheldon Jacobson, profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin e Illinoisit, ka studiuar mbipeshën dhe thotë se qeveria duhet të investojë më shumë në transportin publik.

“Ne jemi një shoqëri shumë e orientuar ndaj makinave. Ne ndërtojmë komunitetet tona të përqendruara rreth periferive,” thotë ai. “Ne përqendrohemi tek përdorimi I makinës dhe jo në ecjen me biçikletë apo edhe në transportin publik dhe, si rezultat, kjo në thelb kontribuon në shtimin në peshë”.

Shtetet dhe territoret e SHBA-së me shkallën më të ulët të obezitetit janë kryeqyteti amerikan (24.3%), Kolorado (25%), Havai (25.9%) dhe Vermonti (26.8%).

 


Shtuar 16.10.2023 23:51