Të paktën 20 persona, përfshirë 10 fëmijë, kanë vdekur dhe 10 të tjerë rezultojnë të zhdukur, pasi një lumë doli nga shtrati në Haitin jugor, thanë autoritetet, duke e bërë vendin e Karaibeve më të goditurin nga Uragani Melissa, përsa i përket numrit të të vdekurve.
Duke folur për AFP-në, drejtori i përgjithshëm i mbrojtjes civile të Haitit, Emmanuel Pierre, tha se kërkimet për personat e zhdukur po vazhdojnë në komunitetin bregdetar të Petit Goave. Lumi La Digue doli nga shtrati, duke rrëmbyer shumë shtëpi në qytetin bregdetar, thanë banorët.
“Njerëz janë vrarë, shtëpi janë rrëmbyer”, tha banori Steve Louisen.
Cikloni Melissa është më i fuqishmi që ka prekur tokën në 90 vitet e fundit, sipas një analize nga Agence France-Presse, bazuar në të dhënat meteorologjike nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së (NOAA).
Të martën, ai goditi Xhamajkën me forcë stuhie 300 km në orë dhe më pas Kubën, ku, sipas presidentit kubanez, shkaktoi “dëme të konsiderueshme”. Sot, një zyrtar i OKB-së në Xhamajka tha se dëmi i shkaktuar ishte ” i pashembullt”, me Ciklonin Melissa më të fortin në historinë e vendit.
“Nga ajo që dimë deri më tani, ka pasur shkatërrime masive dhe të pashembullta të infrastrukturës, pronës, rrugëve, komunikimeve dhe energjisë”, tha Dennis Zulu, koordinatori i OKB-së për disa vende të Karaibeve, përfshirë Xhamajkën, me anë të një videokonference nga Kingston.
“Njerëzit janë në strehimore në të gjithë vendin dhe në këtë moment, vlerësimet tona paraprake tregojnë se vendi është shkatërruar në një nivel që nuk e kemi parë kurrë më parë”, shtoi ai, duke cituar një vlerësim fillestar prej një milion njerëzish të prekur.
Stuhia ka vrarë të paktën 30 persona në Xhamajka, Republikën Dominikane, Panama dhe Haiti, sipas raportimeve.
Shtetet e Bashkuara janë në kontakt me qeveritë e Xhamajkës, Haitit, Republikës Dominikane dhe Bahamas, tha sot Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio.
“Ne kemi ekipe shpëtimi dhe reagimi që shkojnë në zonat e prekura së bashku me furnizime kritike për ndihmë”, tha Rubio në një postim në platformën X.
