Është arrestuar në flagrancë nga policia italiane një 18-vjeçar shqiptar, i cili u kap duke i shitur drogë një 42-vjeçari në Caserta.
Mediat në Itali raportojnë se adoleshenti shqiptar i ka dorëzuar një dozë droge personit tjetër në këmbim të 30 eurove.
18-vjeçari ka vënë re mbërritjen e policisë, ka bërë klientin të zbresë nga makina dhe befas ka përshpejtuar marshin duke tentuar të largohet për të shmangur kontrollin.
Me gjithë manovrën e papritur dhe të rrezikshme, ai u arrit dhe u bllokua menjëherë nga patrulla e policisë.
Në makinën e përdorur nga i riu shqiptar, Ford Puma ngjyrë gri, policia, pas kontrollit, gjeti doza të shumta lëndë narkotike, të fshehura në dorezën dhe në pjesë të tjera të makinës, përfshirë hashash, kokainë me peshë rreth 14 gramë dhe shuma prej 585 eurosh cash, në kartëmonedha të prerjeve të ndryshme, që mendohet se janë të ardhura nga veprimtaria e tregtimit të drogës.
Droga dhe paratë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.