Trump konfirmon vizitën e Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë, çfarë do diskutohet

Presidenti amerikan, Donald Trump ka konfirmuar se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë të premten, më 28 shkurt për të nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme për burimet natyrore dhe rindërtimin e Ukrainës.

Lajmin e bëri të ditur vetë Trump gjatë një mbledhjeje të kabinetit, ku deklaroi se vizita e Zelenskyt tashmë është konfirmuar dhe se pritet nënshkrimi i një marrëveshje të rëndësishme.

“Po ia dalim shumë mirë me situatën Rusi-Ukrainë. Presidenti Zelensky do të vijë të premten. Tani është konfirmuar dhe ne do të nënshkruajmë një marrëveshje,” tha Trump.

Presidenti amerikan theksoi se marrëveshja përfshin aspekte të rëndësishme ekonomike dhe strategjike për SHBA-në, duke përfshirë aksesin në mineralet e rralla të Ukrainës dhe krijimin e një fondi për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta.

“Ne kemi qenë në gjendje të bëjmë një marrëveshje ku do të kthejmë paratë tona dhe do të marrim shumë para në të ardhmen, dhe mendoj se kjo është e përshtatshme,” shtoi Trump.

Administrata amerikane është e lumtur për këtë marrëveshje, e cila synon jo vetëm të forcojë lidhjet ekonomike mes dy vendeve, por edhe të ndihmojë në stabilizimin e Ukrainës pas pushtimit të saj nga Rusia.


Shtuar 26.02.2025 18:42