Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka dalë me një reagim pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje, ku pretendohet se shfaqen disa nga punonjësit e saj në Sarandë.
Sipas njoftimit zyrtar, AMP ka marrë vendimin për t’i pezulluar përkohësisht punonjësit që dyshohet se duken në video dhe njëkohësisht ka hapur procedimin disiplinor për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Të lidhura
None found
Institucioni bëri të ditur gjithashtu se po kryhen veprimet e para procedurale dhe se materialet përkatëse do t’i përcillen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për shqyrtim dhe vijim të mëtejshëm sipas kompetencës.
AMP ka sqaruar edhe pse punonjësit e saj ndodheshin në vendngjarje. Në njoftim thuhet se më 11 qershor 2026, ata ishin në Sarandë së bashku me punonjës të Policisë së Shtetit, në zbatim të një urdhri prokurori të lëshuar mbi bazën e një vendimi gjykate, për kontrollin e banesës së policit Ajdin Islamaj.
Sipas AMP-së, Ajdin Islamaj figuron person nën hetim në kuadër të procedimit penal nr. 304/2026 për veprën “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, dhe ndaj tij është caktuar masë sigurimi.
Agjencia shton se gjatë ekzekutimit të urdhrit të kontrollit, punonjësi i policisë fillimisht ka kundërshtuar dhe nuk ka pranuar të hapë derën e banesës për t’u kryer kontrolli.
